Nga Julian McBride
Me industrinë e saj të mbrojtjes në rritje të vazhdueshme, Turqia mund të mbushë një pjesë të boshllëkut në Ukrainë nëse Shtetet e Bashkuara refuzojnë detyrimet e saj të mëparshme.
Politikat aktuale të SHBA-së të, karakterizuara nga veprime të pavendosura, populizmi dhe turbullirat në politikën e brendshme, do të sjellin pasoja afatgjata në rajone të ndryshme. Amerika po lë pas një boshllëk pushteti, që do të mbushet nga të tjerët.
Në Afrikë, Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, dhe sidomos në Siri, Turqia po ndërhyn ndërsa Shtetet e Bashkuara po largohen, duke u shndërruar në një nga fuqitë më të mëdha ushtarake dhe ndërmjetësit diplomatikë kryesorë në botë.
Duke ushtruar ndikim në disa rajone, Ankaraja po shfaqet si një lojtare kryesore me një politikë të jashtme të pavarur, dhe që nuk ka nevojë për një dritë jeshile nga Uashingtoni, Pekini apo Moska. Marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë, filluan të përkeqësohen në kohën e ngritjes së ISIS.
Ankaraja nuk lejoi që forcat amerikane të përdornin bazat e përbashkëta për sulme kundër organizatës ekstremiste. Por në të njëjtën kohë, për të luftuar Shtetin Islamik, Amerika mbështeti forcat kurde, disa prej të cilave janë organizata terroriste të ndaluara në Turqi.
Duke filluar të krijojë politikën e saj të jashtme të pavarur, Turqia mori udhëheqjen në konflikte të ndryshme rajonale, edhe pse mban ende hapur marrëdhëniet zyrtare diplomatike me Amerikën, pasi të dyja vendet përfaqësojnë fuqitë më të larta ushtarake në aleancën e NATO-s.
Gjatë armëpushimit të vazhdueshëm por të brishtë në Gaza, administrata Biden e vlerësoi Turqinë për mbajtjen e Hamasit në tryezën e bisedimeve kur ky i fundit donte t’i braktiste negociatat.
Duke u distancuar nga pjesa më e madhe të botës arabe dhe duke e humbur mbështetjen e Hezbollahut në Liban dhe Korpusit të Gardës Revolucionare në Iran, për shkak të humbjeve të mëdha përballë Izraelit, Hamasi do të mbështetet gjithnjë e më shumë tek Turqia, si dhe Katari dhe Egjipti, si negociatorët e tij kryesorë.
Ndërkohë Turqia po përqendrohet shumë tek Siria, pasi pasojat nga trazirat shumëvjeçare kanë ndikuar shumë në zonat kufitare dhe në ekonominë turke, nga rritja e refugjatëve sirianë deri tek përleshjet në zonë me luftëtarët e Shtetit Islamik dhe Forcave Demokratike Siriane (SDF).
Turqia do të ndërhynte ushtarakisht në vitin 2016, dhe disa herë të tjera deri në vitin 2022. Pasi ndërhyrja e Rusisë e ndihmoi Bashar Al-Assadin dhe aleatët e tij iranianë të rimerrnin pjesën më të madhe të Sirisë gjatë viteve 2015-2019, Turqia ndihmoi ndërmjetësimin e një armëpushimi për ta ngrirë konfliktin.
Megjithatë, gjatë viteve 2019-2024, mosgatishmëria e Sirisë dhe Rusisë për të zgjidhur krizën e refugjatëve, e nxiti Turqinë të koordinohej me grupime të ndryshme rebele siriane për të rifilluar operacionet ushtarake kundër regjimit të Assadit. Dy javë pasi fraksionet rebele të udhëhequra nga Hayat Tahrir Al-Sham (HTS) nisën një ofensivë të madhe në nëntor, ushtria siriane e çorganizuar, e pamotivuar dhe e tepruar kapitulloi, dhe Assadi u largua nga vendi.
Turqia mori menjëherë një rol mbrojtës mbi qeverinë e re kalimtare të udhëhequr nga HTS, ndërsa lejoi përfaqësuesit të saj kryesorë, Ushtrisë Kombëtare Siriane (SNA), të kryente operacione kundër SDF-së kurde. Për më tepër, Ankaraja po investon shumë në sektorët e energjisë, transportit dhe mbrojtjes të qeverisë së re siriane. Luftëra të ndryshme kanë shpërthyer në kontinentin afrikan me pasoja të rënda si spastrimet etnik, gjenocidet dhe përballjet e ardhshme gjeopolitike mbi burimet, si p.sh ujin.
Në Libi, disa fraksione dolën në skenë për të garuar për pushtet pas rënies së regjimit të Muammar Gaddafit, përfshirë gjeneralin Khalifa Haftar, i cili i shpalli luftë Qeverisë së Marrëveshjeve Kombëtare të njohur ndërkombëtarisht (GNA) në Tripoli. Haftar, i mbështetur nga mercenarët rusë si grupi famëkeq Wagner, u përpoq të pushtonte selinë e Tripolit të mbajtur nga GNA gjatë viteve 2019-2020. Turqia ndërhyri zyrtarisht, duke dërguar mijëra luftëtarë nga përfaqësuesit e saj SNA në
Siri, së bashku me dhjetëra këshilltarë me përvojë dhe logjistikë të mëdhenj si dronët Bayraktar TB2. Ndërhyrja e Turqisë i ndali forcat e Haftar të mbështetur nga Rusia, duke lënë pas qindra viktima, përfshirë midis grupit Wagner. Që nga ndërhyrja turke, situata në Libi është qetësuar dhe tani për tani nuk ka luftime të mëdha.
Në Bririn e Afrikës, janë rritur shumë tensionet midis Etiopisë dhe Somalisë, pasi e para e njeh shtetin e shkëputur të Somalilandit, në kuadër të një marrëveshje për qasje të drejtpërdrejtë në Detin e Kuq për të mbështetur dhe furnizuar popullsinë e saj në rritje të shpejtë.
Njëherazi, është thelluar konflikti midis Etiopisë dhe Egjiptit për burimet e Nilit Blu. Pjesa më e madhe e energjisë hidroelektrike nga Nili Blu, kalon tani nëpër Digën e përfunduar të Rilindjes së Etiopisë (GERD), të cilën Egjipti e sheh si një kërcënim të madh të sigurisë kombëtare.
Turqia ka udhëhequr në heshtje negociatat midis Somalisë dhe Etiopisë, duke ftuar delegatë nga secili vend në Ankara për të diskutuar mbi një udhërrëfyes drejt paqes. Gjatë muajve të parë të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, Turqia luajti një rol të madh si ndërmjetësues kryesor, edhe pse po i dërgonte Kievit armë të mëdha.
Qeveria turke e furnizoi Kievin me dronët Bayraktar, të cilët shkatërruan kolona të mëdha të këmbësorisë ruse në javët e para të luftës. Për shkak të pranisë së madhe të mbrojtjes ajrore, Bayraktar përdoren aktualisht për mbikëqyrjen e lëvizjeve të trupave ruse, dhe korporata Baykar ka në plan të ndërtojë pas luftës një fabrikë prodhimi në Ukrainë.
Për më tepër, kompanitë prodhuese detare turke po rindërtojnë marinën e ardhshme për Ukrainën, duke filluar me dy korveta të klasit Ada. Turqia është mbështetëse e fortë e sovranitetit territorial të Ukrainës. Për shkak të persekutimit nga Rusia të tatarëve të Krimesë, të cilët kanë lidhje me turqit, Turqia e ka njohur Krimenë si territor ukrainas. Moska dhe Ankaraja konkurrojnë për dominim në Detin e Zi, dhe një Ukrainë e fortë mund të shërbejë si një mbrojtje kundër fuqisë ruse.
Me industrinë e saj të mbrojtjes në rritje të vazhdueshme, Turqia mund të mbushë një pjesë të boshllëkut në Ukrainë nëse Shtetet e Bashkuara refuzojnë detyrimet e saj të mëparshme. Midis anëtarëve aktualë të NATO-s, Turqia ndjek një qasje të pavarur dhe vendimtare të politikës së jashtme, e cila rrallëherë lidhet me Uashingtonin.
Me dobësimin e ndikimit amerikan, sidomos për shkak të lëvizjes izolacioniste MAGA, Turqia mund ta shfaqë plotësisht veten në skenën botërore./Eurasia Review