Spanjë, sheshet sërish mbushen në mbështetje për Palestinën

Qytetarët në Spanjë të cilët kanë protestuar në mbështetje të Palestinës duke mos i lënë sheshet bosh që nga fillimi i sulmeve të Izraelit kundër Rripit të Gazës, edhe sot ata kanë vazhduar protestat e tyre. Në protestat e mbajtura në të gjithë vendin, kryesisht në qytetet e mëdha të Spanjës si Madrid, Barcelonë, Valencia, Granada dhe Bilbao, ndaj qeverive të Spanjës dhe atyre evropiane u përsërit thirrja: “Ushtroni presion mbi Izraelin për armëpushim, ndaloni gjenocidin”.

Turma që marshoi me flamuj palestinezë në duar në kryeqytetin Madrid, brohoriti me sloganet “Bojkot ndaj Izraelit”, “Izraeli vrasës”, “Palestina do të fitojë nga lumi në det”, “Netanyahu në burg” dhe “Liri për Palestinën”. Gjithashtu protestën e mbështetën edhe disa sindikata të punëtorëve dhe parti politike që janë në Aleancën Sumar, partneri i vogël i qeverisë së koalicionit në Spanjë si e Majta e Bashkuar dhe Podemos.

Protestuesit iu referuan krizës diplomatike mes dy vendeve e cila filloi me tërheqjen e ambasadorit të Izraelit nga Madridi pas deklaratave të kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez se sulmet e Izraelit në Gaza dhe vdekjet e civilëve shkelin të drejtat ndërkombëtare humanitare dhe po ashtu kërkuan që qeveria e Spanjës të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Izraelin deri në sigurimin e “armëpushimit të përhershëm”.

Në manifestin që u lexua pas marshimit i cili përfundoi para ndërtesës së Ministrisë së Jashtme në Madrid, komunitetit ndërkombëtar iu bë thirrje të kalojë në veprim për “ndalimin e sulmeve, diskriminimin kundër palestinezëve dhe shkeljen e të drejtave të njeriut në Gaza”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne