Spitali i Miqësisë Turqi-Palestinë në Gaza ndërpret punën

Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se Spitali i Miqësisë Turqi-Palestinë në Rripin e Gazës i cili është qendra e vetme ku trajtohen të prekurit nga kanceri në Rripin e Gazës nën bllokadë ka ndërprerë punën. Ministrja palestineze e Shëndetësisë, Mai al-Kaila në një deklaratë me shkrim tha se për shkak të sulmeve të vazhdueshme nga ushtria izraelite, Spitalit të Miqësisë Turqi-Palestinë në Rripin e Gazës i përfundoi karburanti dhe se për këtë shkak ka ndërprerë punën.

“Në Rripin e Gazës ku Izraeli ka ashpërsuar bllokadën, 16 nga 35 spitale kanë probleme me karburantin ose kanë ndërprerë punën si pasojë e bombardimeve”, deklaroi Al-Kaila duke shtuar se 70 pacientë me kancer në Spitalin e Miqësisë Türkiye-Palestinë dhe 2 mijë të tjerë të prekur nga kanceri të zhvendosur pasi janë përballur me bombardimet e rënda, po përjetojnë fatkeqësi dhe atyre u rrezikohet seriozisht shëndeti.

Ajo theksoi se 81 pacientë në Rripin e Gazës janë transferuar në Egjipt përmes pikës kufitare Rafah.

Edhe Spitali Al-Shifa mund të ndërpresë punën

Spitali Al-Shifa, kompleksi më i madh mjekësor në Gaza do të detyrohet që brenda 24 orëve të ndërpresë punën për shkak të mungesës së karburantit, theksoi Al-Kalia e cila shtoi se “Ky spital ofron shërbim shëndetësor për urgjencën, ndërhyrjen kirurgjikale, me repartin e veshkave, kujdesin intensiv dhe foshnjat në inkubatorë”.

Al-Kalia tërhoqi vëmendjen se spitali Al-Shifa strehon 50 mijë palestinezë që janë zhvendosur në Rripin e Gazës në bombardime intensive të Izraelit. Ministrja palestineze përsëriti thirrjen e saj për hyrjen e produkteve mjekësore, ilaçeve, ekipeve vullnetare shëndetësore si dhe për ndalimin e sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne