Mjekët pa Kufij: Të shqetësuar për “atë që po vjen” në “makthin” e Gazës

Sipas një zyrtari të lartë të organizatës humanitare Mjekët pa Kufij (MSF), situata aktuale humanitare në Rripin e Gazës për shkak të bombardimeve të pamëshirshme izraelite është një “makth”.Drejtori i përgjithshëm i MSF-së në Greqi, Achilleas Tzemos, tha se organizata humanitare gjithashtu është e frikësuar për “atë që po vjen”.

“Për shkak të rrethimit shumë të rreptë të Gazës, shumica e objekteve mjekësore po mbarojnë karburantet dhe madje edhe barnat bazë, të cilat nevojiten për të funksionuar. Energjia elektrike është ndërprerë dhe uji i pastër gjithashtu është i pakët”, tha Tzemos. Tzemos theksoi se janë shumë të shqetësuar për situatën në Gaza, duke shtuar se “nga 35 spitalet në Gaza, 12 nuk janë më funksional, për shkak të dëmeve të shkaktuara nga bombardimet ose për shkak se u mbaruan karburantet”.

Tzemos tha se kirurgët në Gaza janë të detyruar që pa anestezi të duhur të operojnë pacientë, përfshirë fëmijët që kanë nevojë për amputim.“Dhe ata punojnë me vetëmohim, pa asnjë garanci sigurie, vetëm për të ndihmuar njerëzit në nevojë atje. Në çdo moment një bombë mund të bjerë mbi ta”, tha ai.Tzemos theksoi se sistemi shëndetësor i Gazës “veçse ishte i gjymtuar për shkak të bllokimit prej 16 vitesh nga Izraeli”.

“Tani po shpërbëhet, ndërkohë që nevojat mjekësore të njerëzve atje janë rritur shumë. Kemi dhjetëra mijëra të plagosur, duke përfshirë disa prej të cilëve janë në situatë shumë kritike. Pra, situata humanitare në Gaza tani është një makth”, theksoi Tzemos. Sipas shifrave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, numri i të vdekurve nga sulmet e vazhdueshme izraelite në enklavën e bllokuar është rritur në 8.796, duke përfshirë 3.648 fëmijë dhe 2.290 gra.

“Të shqetësuar për atë që po ndodh dhe gjithashtu për atë që po vjen”

“Nuk dua të komentoj përfaqësimet e ndryshme të realitetit nga palët e ndryshme në këtë konflikt. Por ajo që mund të themi me siguri është se situata nuk është aspak normale. Gjatë tre javëve të fundit, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ne patëm të paktën 72 objekte mjekësore të sulmuara”, tha Tzemos i pyetur për disa lajme dhe deklarata që minimizojnë krizën në Gaza.

Sipas tij, fluksi i ndërprerë i ndihmave humanitare, ku mbështeteshin shumica e 2.3 milionë banorëve të Gazës, gjithashtu po e përkeqëson ndjeshëm situatën. “Edhe para shpërthimit të konfliktit, para 7 tetorit, Gazës i nevojiteshin 300 deri në 500 kamionë me ndihma humanitare për shkak të bllokadës izraelite prej 16 vitesh. Tani nevoja është edhe më e madhe. Prandaj, ndihma e fundit humanitare prej 35 kamionësh të lejuar në Gaza është vetëm një pikë në oqean”, tha Tzemos.

Ai po ashtu paralajmëroi se mungesa në ujë të pastër, e cila në mënyrë të pashmangshme çon në probleme serioze higjienike, si dhe strehimi i një numri të madh njerëzish në një hapësirë kaq të vogël, së shpejti do t’i shtojë problemet.“Ne jemi të shqetësuar jo vetëm për atë që po ndodh, por edhe për atë që po vjen”, tha Tzemos. Siç theksoi ai, situata në Gaza është unike me kaq shumë njerëz që nuk kanë asnjë mundësi për t’i shpëtuar bombardimeve dhe janë të mbyllur në një hapësirë kaq të vogël.

“Kjo e bën situatën atje shumë të rrezikshme në krahasim me zonat e tjera të konfliktit, ku popullsia civile lejohet të largohet nga armiqësitë”, u shpreh ai, duke shtuar se Gaza nuk ka përjetuar kurrë më parë armiqësi në këtë nivel dhe intensitet për një kohë kaq të gjatë. Në këtë situatë, tha Tzemos, një armëpushimi i menjëhershëm është thelbësor për të shpëtuar jetë dhe më pas duhet të formohet një korridor humanitar për t’i furnizuar banorët e Gazës me mallra mjekësore, ushqime, karburant dhe gjëra të tjera thelbësore, si dhe për t’u dhënë qasje profesionistëve mjekësor dhe punonjësve humanitarë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne