SQARIME RRETH DISA TË DHËNAVE JO TË SAKTA TË PUBLIKUARA NË NJË DOKUMENT TË QEVERISË TË MBRETËRISË SË SHQIPËRISË NË LIDHJE ME NUMRIN E TURQVE NË MBRETËRINË JUGOSLLAVE

Nga: Salim Kadri Kerimi, Shkup

Këto ditë kisha rastin ta lexoj tekstin e një dokumenti të Qeverisë të Mbretërisë së Shqipërisë (Pro–Memoria), që në Portalin e gazetës “KOHA”, më 9 Korik 2023, e ka publikuarë kolegu im historijan z. Qerim Lita. Shkas për përpilimin e dokumentit në fjalë, i cili qenka pregaditur në Ministrinë e punëve të jashtme të Mbretërisë së Shqipërisë, më 8 Prill 1938 (AQSH, Fondi: Kryeministria, 149),  ishin negociatat e përfaqsuesve të “Komisionit turko–jugosllav për shpërngulje”, të cilët, nga data 9 qershor dhe gjer më 11 korik të vitit 1938, u zhvilluan në qytetin e Stambollit të Turqisë. Siç dihet, në fund të negociatave dy palët negociuese vetëm e sigluan/ parafuan tekstin përfundimtar të “Konventës Turko–Jugosllave për shpërnguljen e popullatës josllave“, me të cilën, duke filluar nga viti 1939 e deri në vitin 1944, nga tre krahinat të Mbretërisë Jugosllave (Banovinat e Vardarit, Zetës dhe Moravës), ishte e paraparë në Turqi të shpërngulen 40.000 familje (rreth 200.000–250.000 frymë) muslimanë, pjesëtarë të “kulturës turke”. Për shkaqe që janë botërisht të njohura, konventa në fjalë nuk u nënshkrua, d.m.th. nuk u ratifikua nga asnjë palë.

Para se të kaloj në sqarimin e disa të dhënave dhe vlerësimeve jo të sakta që janë të prezantuara në dokumentin e Qeverisë të Mbretërisë së Shqipërisë, të cilat edhe kësaj radhe z.Qerim Lita nuk e ka parë të arsyeshme ti kontestojë, më lejoni fillimisht ti parashtroj dy vlerësimet e mia të përgjithshme, rreth qëllimeve dhe planeve të Mbretërisë Jugosllave dhe të Republikës të Turqisë, në lidhje me shpërnguljen e popullatës në fjalë nga Jugosllavija në Turqi:

  1. Pas hapjes të dokumentave relevante të asaj kohe, që posaçërisht ruahen në arkivat e ndryshme të Serbisë në Beograd (Arhivi Jugosllav, Arhivi diplomatik pranë MPJ të Republikës së Serbisë, e tj.), studijuesit e kësaj çështjeje, përfshirë edhe unë, në mënyrë të pakontestueshme kanë mundur/ kemi mundur me vërtetsinë më të madhe ti zbulojnë/ ti zbulojmë planet ogurzeza të administratës të atëhershme të Mbretërisë Jugosllave dhe më pas të RFP të Jugosllavisë, në lidhje me përpjekjet e tyre të vazhdimshme për pastrimin e krahinave të Jugosllavisë nga elementi myslyman, dhe posaçërisht nga turqit dhe shqiptarët, meqense, sipas elitës serbe, sidomos shqiptarët, mes tjerash, paraqitnin rezik të madh për sigurinë e kombit dhe shtetit serb;
  2. Nga ana tjetër, gjykuar sipas burimeve arhivore të ndryshme të asaj kohe dhe më pas, po ashtu, mund të vihet në përfundim se, preokupimi kryesor i politikanëve dhe diplomatëve të atëhershëm të Republikës së Turqisë ka qenë, në Turqi ti vendosin/ ti sistemojnë turqit e shteteve Ballkanike, përfshirë edhe turqit që jetonin në Jugosllavi. Pa dashur të hy në detaje dhe mbështetje me fakte konkrete të këtij vlerësimi tim, me këtë rast dua ta shpreh mospajtimin tim me disa vlerësime të stërmadhuara dhe jo të dretjta në lidhje me gjoja “planet ogurzeza” edhe të administratës të atëhershme dhe të mëpasshme turke në lidhje me gjoja angazhimet e tyre për të shpërngulur në Turqi sa më tepër shqiptarë nga Jugosllavia, Shqipëria dhe Greqia. Sipas mendimit tim, akuzat të këtilla në adresë të Turqisë janë jo të drejta dhe jo korekte. Siç e kam thënë dhe shkruarë edhe në raste të tjera, duke i patur parasysh faktet e shumta dhe rrethanat politike të asaj kohe, për hir të së vërtetës historike, në vend se Republika e Turqisë të akuzohet për gjoja “marëveshje dhe komplote të fshehta në dëm të shqiptarëve“, do duhet të gjithë ne (turqit, shqiptarët, boshnjakët, pomakët, e tj.) Republikës së Turqisë ti jemi mirënjohës, që në të kaluarën, brenda mundësive të saja modeste, i ka dalë zot/ është kujdesur për fatin dhe mirëqenjen e të parëve tanë. Kjo zdomethënë se udhëheqsit më të lartë të Republikës së Turqisë çdo herë, në të kaluarën, kanë patur dhe zhvilluar politika dhe qasje të drejta, në lidhje me pranimin e disa milionë migrantë të përkatsive të ndryshme etnike. Si përfundim, me bindjen time më të thellë mund të konstatoj se politikanët e Turqisë, as në të kaluarën dhe as sot, asnjëherë me veddije nuk kanë bërë azgjë në dëm të kombit shqiptar, përkundrazi, si në të kaluarën ashtu edhe sot, Turqija ka qenë/ është mbështetsja më e madhe dhe më e sinqertë e shqiptarëve kudo që ata jetojnë, mendoj unë.

Duke u nisur nga vlerësimet e mësipërme, e shoh të arsyeshme edhe kësaj radhe ta shpreh mospajtimin tim me vlerësimin e kolegut Q.Lita, se gjoja sipas konventës të lartpërmendur turko–jugosllave, palët negociuese qënkan marë vesh, mes viteve 1939 dhe 1944, në Turqi “… nga Kosova, trevat shqiptare të Maqedonisë së sotme të Veriut dhe nga Mali i Zi, do të shpërnguleshin gjithsej 40.000 familje shqiptare myslimane”. Ky vlerësim i kolegut Lita është jo i vërtetë, mendoj unë, mes tjerash, për vet faktin se gati në gjysmën e vendbanimeve të “Banovinës të Vardarit”, as atëherë dhe as sot, nuk ka patur popullatë shqiptare, ose në se ka patur numri i tyre ka qenë simbolik. Kurse në shumicën e vendbanimeve të tre banovinave në fjalë, aso kohe dhe sot, përveç shqiptarëve kanë jetuar/ jetojnë edhe pjesëtarë të etnive turke, pomake/ gorane, e tj. Vet emri i konventës, si dhe neni i parë i saj, flasin për shpërnguljen e popullatës muslimane jugosllave të cilët flasin turqisht dhe që i takojnë “kulturës turke”, dhe jo për shpërnguljen vetëm të shqiptarëve, siç ka deklaruar kolegu Qerim Lita.

Sipas mendimit tim, edhe “solidarizimi” i tërësishëm i kolegut Lita me vlerësimin e përpiluesve të Pro-Memories se, “…numëri i banorëvet muhamedanë të Ylema Mexhlisit të Shkupit është 840.636. Ky numër duhet të përbëhet vetëm prej Shqiptarësh, me përjashtim të nji numëri të vogël turqish, të cillët shumë shumë munt të arrinë në 60.000” frymë. Vlerësimi se, “Ky numër duhet të përbëhet vetëm prej Shqiptarësh, me përjashtim të nji numëri të vogël turqish, të cillët shumë shumë munt të arrinë në 60.000” frymë është jo i vërtetë. Për hir të së vërtetës, në përbërjen e numrit të përgjithshëm 840.636 frymë muslimanë të Ylema Mexhlisit të Shkupit, përveç shqiptarëve dhe turqve, numri i të cilëve ka qenë shumë më i madh se 40.000-60.000 frymë, kanë bërë pjesë edhe pjesëtarët e komuniteteve pomake, çerkeze dhe një pjesë e romëve/ egjiptasve muslimanë. Pra, kjo është e vërteta e pakontestueshme e çështjes në fjalë, dhe jo vlerësimet e autorëve të ndryshëm shqiptar dhe të punonjësve të MPJ të Mbretërisë së Shqiptarisë, të prezantura në dokumentin në fjalë dhe gjetkë.

Sa i takon të dhënave rreth numrit të turqve, të cilët po ashtu me shekuj jetonin/ jatojnë në krahinat të ndryshme të Maqedonisë (së sotme) Veriore dhe në Republikën e Kosovës, që janë të parashtruara në dokumentin në fjalë të Qeverisë të Mbretërisë së Shqiptarisë, shkurtimisht mund ti them këto disa vlerësime të mia, të cilat janë të vërtetuara/ të mbështetura nga burime dhe fakte të ndryshme të pakontestueshme:

  1. Numri i Turqve në Mbretërinë Jugosllave, në vitin 1938, kur është përpiluar dokumenti në fjalë, me të vërtetë ka qenë rreth 200.000 frymë, pra aq sa ishin parashikimet e administratës jugosllave të asaj kohe. Vlerësimet e administratës shqiptare se numri i tyre na qenka në një rast rreth 40.000, kurse në rastin tjetër rreth 60.000 frymë, është jo i saktë/ jo i vërtetë. Me fjalë të tjera, në se numri i shqiptarëve të Mbretërisë Jugosllave, sipas administratës shqiptare, nga 439.657 (sipas të dhënave nga Regjistrimi i vitit 1921), në vitin 1938 qenka ritur në 800.000 – 866.649 frymë, atëhere pse numri i turqëve nga 150.322 frymë (po ashtu sipas të dhënave nga Regjistrimi i vitit 1921), në vitin 1938 na qenka zvogëluarë në 40.000, ose 60.000 frymë?;
  2. Sa i takon numrit të përafërt të shqiptarëve në Jugosllavi, jo në vitin 1938 por bile në vitin 1948 (kur një numër i madh turq të Maqedonisë dhe Kosovës janë detyruarë të regjistrohen si shqiptarë) ka qenë 750.431 frymë. Pra, në se administrata e Mbretërisë shqiptare të dhënat statistikore të Regjistrimit të vitit 1921 i ka vlerësuarë si të besueshme/ të sakta, pse e njëjta administratë i ka anashkaluarë/ problematizuarë të dhënat edhe rreth numrit të turqve, sipas të dhënave statistikore të Regjistrimit të njëjtë (të vitit 1921)?;
  3. Vlerësimet e administratës shqiptare se “… numëri i turqvet të Jugosllavisë munt të konsiderohet si nji “quantité négligeable” (sasi e papërfillshme) dhe është shumë më i vogël nga numëri i elementevet të tjera që banojnë në Jugosllavi…”, po ashtu është jo i vërtetë. Gjithmonë duke gjykuar sipas të dhënave statistikore, p.sh., nga regjistrimet e viteve 1921 dhe 1931, sipas numrit të tyre, minoriteti turk në Mbretërinë Jugosllave ka qenë në rradhë të pestë (pas minoritetit shqiptar, gjerman, hungarez, dhe rumun), dhe jo “sasi e papërfillshme”, siç kanë shpifur përpiluesit e Pro–Memories;
  4. Edhe vlerësimet e adminisratës shqiptare se, “elementi turk i Jugosllavisë … ësht i vendosur në viset e jug-lindjes së Serbis jugore të Vjetër”, dhe, “Kjo rezulton dhe nga statistika zyrtare jugosllave, si regjistrimi i bërë më 1921...”, nuk janë të vërteta, për vet faktin se, si në të kaluarën ashtu edhe sot, popullatë turke nuk ka patur/ nuk ka vetëm në “viset e jug-lindjes së Serbis jugore të Vjetër” por edhe në viset e tjera të Maqedonisë (së sotme) Veriore dhe në Republikën e Kosovës. Këtë të vërtetë e konfirmojnë edhe të dhënat statistikore të Regjistrimit të vitit 1921, sipas të cilave popullatë turke përveç në “viset e jug-lindjes së Serbis jugore të Vjetër”, ka patur/ ka edhe në krahinat e tjera të Maqedonisë (të sotme) Veriore (në Kumanovë me rethinë, në Shkup me rrethinë, Tetovë me rrethinë, Gostivar me rrethinë, Dibër me rrethinnë, Strugë, Ohër, Resnjë me rrethinë, Manastir me rrethinë, Prilep me rrethinë, Veles me rrethinë, Kavadar me rrethinë, e tj.), si dhe në vise të ndryshme të Kosovës (në Prishtinë, Prizren me rrethinë, Vuçitërn me rrethinë, Pejë me rrethinë, Gilan me rrethinë, Mitrovicë, e tj.) ;
  5. Vlerësimi i administratës shqiptare se, “… elementi turk është vënë në kategorin “autres langues” (gjuhë të tjera) kategori në të cilën përfshihen, bashkë me Turqit, edhe elemente të tjera si grekë, çifutë, ciganë etj.…”, po ashtu nuk është i vërtetë. Të dhënat statistikore nga Regjistrimi i vitit 1921, që janë të prezantuara në librin përkatës (“Definitivni rezultatipopisa stanovništva od 31 januara 1921 god.”, Državna štamparija Sarajevo, 1932, f.3), në mënyrë të patjetërsueshme vërtetojnë se regjistrimi i popullatës turke, njashtu si dhe regjistrimi i popullatave të tjera, përfshi edhe i popullatës shqiptare, ishte bërë në bazë të gjuhës të tyre amtare. Dhe konkretisht nëse në kollonën e 19-të figurojnë të dhënat për numrin e shqiptarëve, në bazë të gjuhës amtare (“Po maternjem jeziku – Arnauta”), në kollonën e 20-të figurojnë të dhënat për numrin e turqve, po ashtu në bazë të gjuhës të tyre amtare (“Po maternjem jaziku – Turaka”).

Sipas njohurive të mia, egziston mundësia që në numrin e përgjithshëm të turqve një pjesë e vogël vetëm e romëve/ egjiptasve muslimanë, me banim në Manastir, Shtip, Srtrumicë, Radovisht, e tj., si gjuhë amtare ta kenë zgjedhur gjuhën turke. Por, e njëjta gjë njëkohësisht vlen edhe për numrin e përgjithshëm të shqiptarëve, në të cilin një numër i konsideruarë po ashtu i romëve/ egjiptasve, me banim në disa qytete të Maqedonisë (të sotme) Veriore (në Dibrër, Strugë, Ohër, Resnjë, e tj.), si dhe pjesa dërmuese e romëve/ ashkalive/ egjiptasve të Kosovës, në Regjistrimin e vitit 1921, si dhe në regjistrimet e mëvonshme si gjuhë amtare ta kenë zgjedhur shqipen dhe të deklarohen si shqiptarë, meqense në fakt gjuha shqipe ka qenë edhe sot vazhdon të jetë gjuha e tyre amtare;

  1. Konkludimi se, “Për sa u përket popullsivet shqiptare të Jugosllavis, broshura në fjalë tregon se më 1921 arrinin 441.740 frymë, … Duhet shënuar se ky numër ësht nji minimum të cilit duhet t’i shtojmë shumë shqiptarë që munt të jenë regjistruar në kategorit e gjuhëvet të tjera, veçanërisht në gjuhën turqisht, mbasi dihet që elementi shqiptar e flet dëndur dhe lirisht turqishten...”, po ashtu nuk është i vërtetë, për vet faktin se në Regjistrimin e vitit 1921 si bazë për përkatsinë etnike ishte marë “gjuha amtare” dhe jo “njohja e gjuhëve të tjera”. Me fjalë të tjera, ashtu siç një shqiptar i cili përveç gjuhës të tij amtare (shqipe) i zotëron/ flet edhe anglisht, serbisht, e tj., por ai nuk mund të jetë as anglez e as serb, njashtu edhe një shqiptar i cili përveç shqipes e zotëron/ flet edhe turqisht, nuk mund të jetë turk por vetëm shqiptar.

Dhe fare në fund të reagimit tim, si përfundim mund të them se, me përjashtim të të dhënave jo të vërteta rreth numrit dhe vendndodhjes të popullatës turke dhe të zmadhimit të numrit të popullatës shqiptare të Mbretërisë Jugosllave, përmbajtja e dokumentit në fjalë i Qeverisë të Mbretërisë së Shqipërisë ka qenë e pregaditur me kujdes dhe maturi të duhur. Sipas njohurive të mia, shkaku i vetëm i njohurive të gabuara rreth çështjeve në fjalë kanë qenë informatat jo të sakta që përfaqsuesit diplomatiko-konzullore të Shqiprisë, në Shkup, Beograd, Stanboll dhe Ankara, vazhdimisht ja dërgonin MPJ dhe institucioneve të tjera të Shqiprisë. Kjo veti dhe qasje e gabuarë, në ndonjë farë mënyre, për fat të keq, vazhdon edhe sot, p.sh., kur bëhet fjalë për numrin e shqiptarëve në Maqedoninë Veriore. Me fjalë të tjera, tendenca e autoriteteve politike dhe autorëve të ndryshëm shqiptar (nga të gjitha trevat ku ata jetojnë) për ta paraqitur/ prezantuar pothuajse të gjith popullatën muslimane të Maqedonisë dhe Kosovës vetëm si shqiptare, për fat të keq, është prezente në vazhdimsi/ pa ndërpreje, duke filluarë nga viti 1913 dhe gjer në ditët e sotme. Një qasje e këtillë është jo e drejtë, jokorekte dhe shkencërisht e papranueshme, mendoj unë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne