Studentët e mjekësisë kanë dalë në protestën e tyre të dytë këtë të premte. Ata refuzojnë propozimin e qeverisë për të qëndruar 3 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve.
Në të kundërt, qeveria ka lënë në dispozicion mundësinë për të paguar tarifën e plotë të studimeve dhe ata mund të largohen lirisht. Bëhet fjalë për një tarifë rreth 13 fish më të lartë se çfarë studentët paguajnë aktualisht.
Studentët e mjekësisë janë të vendosur të mos pranuar asnjë propozim të Ministrisë së Arsimit dhe Shëndetësisë sa kohë ata vihen përballë zgjedhjes së pagesës së plotë apo qëndrimit të tyre në Shqipëri për 3 vite.
Rektor i universitetit të mjekësisë, Arben Gjata, thotë se asgjë nuk është vendosur, gjithçka është në proces diskutimi dhe ky është vetëm një nga opsionet.
Pjesë e diskutimit është edhe se kjo kontratë është për të gjithë studentët apo vetëm për ata që hyjnë në vit të parë. Gjata i sugjeron që studentët duhet të provojnë punën në sistem, por mjekët e rinj kanë tjetër mendim.
Gazetarja e Euronews Albania, Bruna Cami raportoi se ata kanë nisur marshimin e tyre drejt Ministrisë së Arsimit.
“Nuk do të tërhiqen deri në fund derisa ministria e Arsimit, e Shëndetësisë dhe fakulteti të tërheqin propozimin për të firmosur një kontratë në fillim të vitit akademik ku do të vihen përballë zgjedhjes, ose të paguajnë një tarifë studimi të plotë sipas propozimit, që shkon diku te 3 mijë euro, në të kundërt do të duhet të qëndrojnë për 3 vite të ofrojnë shërbimin e tyre në sistemin publik shqiptar në të gjithë Shqipërinë, aty ku ministria do ta shohë të arsyeshme se ka nevojë për të plotësuar nevojat e sistemit me mjekë. Vetë studentët thanë edhe sot se kanë hartuar një deklaratë që do t’ia kalojnë ministrisë së Arsimit dhe nuk do të tërhiqen derisa instancat të reagojnë publikisht duke u tërhequr nga propozimi i tyre për t’i vendosur përballë një zgjedhjeje,” – tha Cami./EuronewsAlbania