Thirrje nga Sheshi Skënderbej: Floriar Arapi bën apel për ndërprerje të çdo marrëdhënieje me shtetin izraelit

Në kuadër të marshimit solidarizues me popullin e Palestinës, i zhvilluar sot në Sheshin Skënderbej, aktivisti Floriar Arapi ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve shqiptare për ndërprerjen e çdo marrëdhënieje me shtetin e Izraelit, të cilin ai e cilësoi si “shtet zionist” përgjegjës për krime lufte dhe genocid.

“Njerëzimi nuk ka kaluar një sprovë të tillë që nga Lufta e Dytë Botërore,” deklaroi Arapi përpara turmës së mbledhur, duke shtuar se “pavarësisht ekzistencës së Konventave për të Drejtat e Njeriut dhe rezolutave të OKB-së, situata aktuale në Gaza na kujton më së shumti periudhën më të errët të historisë moderne.”

Ai theksoi se Izraeli ka shkelur në mënyrë sistematike çdo rezolutë ndërkombëtare dhe ka ushtruar “vrasje masive dhe një genocid të tmerrshëm ndaj popullit palestinez”.

Marshimi në Tiranë është pjesë e një vale protestash globale në mbështetje të Palestinës, teksa sulmet dhe krizat humanitare në Rripin e Gazës vazhdojnë të marrin jetë civilësh dhe të tronditin opinionin publik ndërkombëtar./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne