“Bëmë një marrëveshje me Hamasin që ata do të sillen mirë… dhe nëse nuk sillen… do t’i shkatërrojmë, nëse na duhet”, thotë Trump.
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, të hënën kërcënoi se do të “shkatërrojë” Hamasin nëse grupi palestinez nuk përmbahet ndaj marrëveshjes së armëpushimit për Gazën, që përfshin çarmatimin e grupit dhe dorëzimin e trupave të pengjeve izraelite.
Duke folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se ShBA-ja dhe partnerët e tij ndërkombëtarë po ndërmarrin hapa të ndryshëm për të ruajtur armëpushimin në Gaza.
“Një sërë hapash, dhe tani është në duart e të tjerëve,” u shpreh ai, kur u pyet se çfarë po bën administrata për të mbajtur armëpushimin. “Ne bëmë një marrëveshje me Hamasin që ata do të sillen shumë mirë, do të jenë të sjellshëm dhe nëse nuk janë, ne do të shkojmë dhe do t’i shkatërrojmë, nëse na duhet”.
Presidenti amerikan tha se Hamas është “në shkelje të marrëveshjes” dhe paralajmëroi se situata “do të zgjidhet shumë shpejt” nëse grupi nuk i përmbush detyrimet e tij ndaj marrëveshjes.
Ndërkohë, Hamas njoftoi se të hënën në mbrëmje do t’i dorëzonte Kryqit të Kuq trupin e një pengu izraelit sipas marrëveshjes së armëpushimit. Grupi tha se trupi ishte gjetur nën rrënoja të dielën.
Deri tani, Hamas ka liruar 20 pengje izraelitë të gjallë dhe ka dorëzuar trupat e 13 të tjerëve, në këmbim të rreth 2.000 të burgosurve palestinezë, sipas marrëveshjes së armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor, bazuar në një plan të fazuar të propozuar nga Presidenti Trump./trtbalkan


















