Turqia dhe Katari dhurojnë një milion dollarë për Jemenin e shkatëruar nga Saudia

Një milion dollarë, para të gatshme do t’i dhurohen Jemenit në kuadër të një protokolli për ndihma humanitare të nënshkruar mes Gjysmëhënës së Kuqe të Turqisë (Kizilay) dhe Fondacionit për Bamirësi nga Katari.

Ceremonia e nënshkrimit të protokollit u mbajt të dielën në zyrat e Gjysmëhënës së Kuqe Turke (Kizilay) në Stamboll dhe firmat u hodhën nga kreu i Kizilay-it, Kerem Kënëk (Kınık) dhe Drejtori Ekzekutiv (CEO) i Fondacionit për Bamirësi nga Katari, Faisal Rashid Al Fehaida.

Me Fondacionin për Bamirësi të Katarit kemi firmosur dy protokolle bashkëpunimi për ti ardhur në ndihmë krizës së Jemenit, e cila është një krizat më të mëdha të njerëzimit sot,- sqaroi Kënëk duke shtuar se gjendja në Jemen, në veçanti në lidhje me kolerën dhe rastet e sistemit gastroenterologjik si dhe sëmundjet ngjitëse ka arritur në nivelin e krizës.

“Me dy projekte do të zbatojmë së bashku një program me vlerë rreth një milion dollarë për furnizimin me ushqime, për të cilat ka më shumë nevojë Jemeni. Ndërsa protokolli i dytë ka të bëjë me fuqizimin e sistemit shëndetësor në këtë vend. Një pjesë e parave do të përdoren për realizimin e një projekti lidhur me themelimin e një reparti për trajtim gastroenterologjik dhe endoskopik në një spital të Jemenit.

Kurse Drejtori Ekzekutiv (CEO) i Fondacionit për Bamirësi të Katarit, Faisal Rashid Al Fehaida nga ana e tij tha: “Me Gjysmëhënën e Kuqe jemi në aleancë në shumë projekte të ndihmave humanitare. Jemi të gatshëm për t’u ofruar përmes Gjysmëhënës së Kuqe Turke çdo lloj ndihme nevojtarëve në Jemen. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Gjysmëhënën e Kuqe Turke për realizimin e projekteve të ndryshme në drejtim të plotësimit të nevojave spitalore dhe ushqimore.

Falë këtyre ndihmave në Jemen do të realizohen dy projekte humanitare, në sektorët e shëndetësisë dhe ndihmave ushqimore.

Reparti i gastroenterologjisë në Spitalin Universitar “Al-Sadaka” në qytetin e Adenit do të rinovohet dhe kompletohet me aparaturat e teknologjisë së fundit, ndërkohë do të shpërndahen edhe 10 mijë pako me ndihma për 50 mijë persona në nevojë.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara më shumë se 22 milionë njerëz në Jemen kanë nevojë për ndihma humanitare.

Jemeni është kthyer në skenë të një krize të thellë politike dhe të sigurisë, e cila në fund të vitit 2014 u përshkallëzua në luftë civile. Huthitë kontrollojnë kryeqytetin e vendit, Sana dhe disa rajone të tjera të rëndësishme të vendit ndërsa qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Jemenit e ushtron aktivitetin e saj nga qytet-porti i Adenit.

Konfliktet në Jemen u përshkallëzuan edhe më tepër në mars të vitit 2015, kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj filluan sulme ajrore mbi pozicionet e Huthive./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne