Ushtria izraelite urdhëron evakuimin e një pjese të “zonës humanitare” të Gazës

Ushtria izraelite ka urdhëruar banorët e qytetit Khan Younis të evakuojnë lagjen al-Jalaa të përcaktuar më parë si një “zonë e sigurt humanitare” nga ushtria. Në deklaratën e ushtrisë izraelite thuhet se lagja al-Jalaa nuk do të jetë më pjesë e “zonës humanitare”.

Ushtria izraelite pretendoi se grupi i rezistencës palestineze Hamas “operon” nga lagja dhe se kjo pjesë do të jetë një “zonë e rrezikshme luftimi”. Edhe pse ushtria izraelite më parë ka përcaktuar vende “të sigurta”, ajo vazhdoi të godasë këto zona, duke shkaktuar shumë viktima në mesin e civilëve palestinezë.

Dje, të paktën 100 palestinezë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën kur avionët izraelitë shënjestruan palestinezët që falnin namazin e sabahut në shkollën Al-Taba’een në lagjen Al-Daraj në qytetin Gaza.

Pavarësisht thirrjeve të enjten nga ndërmjetësit, përfshirë Egjiptin, SHBA-në dhe Katarin, për të ndaluar armiqësitë, si dhe për të arritur një armëpushim dhe një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve, Izraeli vazhdon me sulmet vdekjeprurëse kundër Gazës.

Që nga tetori i kaluar, pas sulmit ndërkufitar të Hamasit, sulmet izraelitë kanë vrarë të paktën 39.800 palestinezë. Më shumë se dhjetë muaj pas sulmit izraelit, pjesë të mëdha të Gazës mbeten në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin ushtarak në qytetin Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj./AA

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne