Vendimi skandaloz që mbron Veliajn/ Prokuroria nuk heq dorë nga hetimet për Ardit Gjoklajn

Ardit Gjoklaj, i riu që u gjet i pajetë në vitin 2016 është vrarë jashtë landfillit të Sharrës dhe trupi i tij është  transportuar aty për të fshehur gjurmët.

Në këtë konkluzion kanë arritur gjyqtarët Gerd Hoxha, Petrit Çomo dhe Arben Micko.

“Në vendimin nr. 1170, datë 17.04.2018 të Gjykatës së rrethit Gjyqësor Tiranë, thuhet se ka fakte që vërtetojnë se viktima mund të jetë vrarë jashtë zonës së landfillit, provuar kjo edhe nga aktet e ekspertimit, që janë prova të pakundërshtueshme në këtë proces penal.

Se sa të sigurta kanë këto aktekspertime nuk merr përsipër askush të thotë. Janë blerë e shitur, kjo nuk dihet, por Ardit Gjoklajn, djalin që punonte në landfillin e Sharrës për bukën e gojës e vranë për së dyti.

Por, nuk mbaron me kaq. Aty ku drejtësia mungon, ngjarja mund të përshkallëzohet në hakmarrje.

Aty ku krimi bëhet palë me drejtësinë, rruga që gjendet është hakmarrja.

Vetëm pak kohë më parë ndaj shoferit të eskavatorit që dyshohet se vrau Ardit Gjoklajn u bë një atentat me armë zjarri. Ngjarja u mbajt e fshehtë nga Policia dhe vetëm pas raportimit nga media, është dhënë informacion zyrtar.

Edmond Kallari, ndaj të cilit u bë një atentat,  u gjet fajtor për drejtimin e një fadrome pa ‘leje drejtimi’ dhe u dënua me 2 vjet heqje lirie, por për shkak se masa e dënimit kishte filluar një ditë pas aksidentit në landfillin e Sharrës, gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm për të dy të pandehurit.

Gjykata: Prokuroria ka dështuar

Gjykata në vendim e  akuzonte prokurorinë se nuk ka bërë hetime të thellura për të zbardhur të vërtetën.

“Faktet duhet të kishin shkundur policinë dhe prokurorinë për të kryer hetime të thella dhe të specializuara  me të gjitha metodat dhe format e lejuara ligjore,” shprehet trupa gjykuese.

Ndërsa në lidhje me rolin e fadromistit Kallari, Gjykata e Tiranës shprehej në vendimin e saj se jo vetëm prokuroria ka dështuar të provojë që ai është përgjegjës për vdekjen e Gjoklajt, po aq më tepër prokuroria ka qenë e paaftë të përcaktojë mekanizmin e ngjarjes.

Duke iu referuar provave  të servirura gjatë procesit gjyqësor – si dëshmitë e punëtorëve, pamjet filmike dhe akteve të ekspertimit, gjykata thotë se nuk vërtetohet që fadromisti  të jetë autori i vrasjes 17 vjeçarit.

“Edhe po t’i qëndrojmë pretendimit absurd të organit të akuzës se nuk është parë nga dëshmitarët, do të ishte kapur nga kamerat e sigurisë. E vërteta është se i akuzuari nuk ka punuar dhe nuk është afruar me mjetin e tij në vendin në të cilën është gjetur viktima,” shkruhet në vendim.

Prokurori nuk tërhiqet nga hetimet

CNA.al, i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës për të mësuar se çfarë po ndodh me hetimet në rastin e Ardit Gjoklajt.

Prokuroria i çështjes Julian Zonja, ka treguar se e ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Shkallës në Apel dhe se nuk ka hequr dorë nga hetimet.

“Nuk kam qenë dakord me vendimin e gjykatës, sepse ai vendim do të shmangte përgjegjësinë e subjektit. Për këtë arsye dhe të tjera e kam ankimuar dhe çështja gjykohet në Apel.

Kam punuar me përkushtim për këtë ngjarje për të bërë maksimumin, edhe pse nuk kam qenë unë që të shkoja në vendngjarje, edhe pse në të njëjtën kohë punoja me ngjarje të tjera të rëndësishme, ashtu siç kam qenë gjatë gjithë hetimit dhe gjykimit në kontakt me familjaret e Arditit dhe avokatin e tyre, siç jam edhe sot.

Edhe unë nuk jam i kënaqur sepse prisja shumë më shumë nga provat që ishin marrë.

Para se të jem prokuror, une jam njeri, ashtu si ju, punoj gjithë ditën, si ju, dhe ne fund shkoj tek familja ime.

Mund t’ju them se  kjo çështje nuk do të jetë e mbyllur përfundimisht, pasi çështje të ndara vijojnë për çdo moment që mund të dali ndonjë e dhënë e re”, është shprehur prokurori, Julian Zonja.

Vrasja që bën përgjegjës edhe Erion Veliajn

Ardit Gjoklaj humbi jetën, një muaj pas që kryebashkiku i Tiranës Erion Veliaj deklaronte se impianti i përpunimit të mbeturinave në landfillin e Sharrës ishte i sigurtë.

Ndaj dyshohet se për të qenë në krah të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe gjithë atyre të tjerëve që dyshohet se  janë përfshirë në vrasjen e Arditit, në vendimin nr. 1170, datë 17.04.2018 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranës, aludohet se i riu mund të jetë vrarë jashtë zonës së landfillit, sipas akteve të ekspertimit, që nga Gjykata janë cilësuar janë prova të pakundërshtueshme.

Dhe për më tepër vendimi skandaloz u bë publik, pasi studentët e akuzuan drejtpërsëdrejti Erion Veliajn se kishte vrarë Ardit Gjoklajn./CNA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne