Givert: Kanë përfunduar mbi 72,5% e punimeve për Gazsjellësin Transadriatik (TAP)

Mbi 72,5% e punimeve për ndërtimin e Gazsjellësit Transadriatik (TAP) kanë përfunduar deri në fund të prillit të këtij viti duke përfshirë tërë inxhinierinë, prokurimin dhe ndërtimin, deklaroi shefja e komunikimit të Projektit TAP, Lisa Givert.

Ajo bëri me dije në një prononcim për Agjencinë Anadolli (AA) se Projekti TAP po vazhdon sipas planit.

TAP është një gazsjellës ndërkufitar 878 kilometra i gjatë në ndërtim e sipër, i cili shtrihet nga kufiri greko-turk për të kaluar në Greqi, Shqipëri dhe detin Adriatik për në Itali. TAP-i do të lidhet me Gazsjellësin Transanadolli (TANAP) në pikën e hyrjes në Turqi.

Givert njoftoi se në Greqi, deri në mes të muajit maj, janë pastruar 539 kilometra të rrugës së tubacionit, janë lidhur rreth 525 kilometra të gypave, janë salduar mbi 514 kilometra, janë rimbushur 434 kilometra të rrugës dhe janë duke u rikthyer në gjendjen e mëparshme rreth 331 kilometra të gjurmës së projektit.

“Në Shqipëri, rreth 193 kilometra janë pastruar dhe niveluar përgjatë rrugës, 186 kilometra të tubacionit janë lidhur, 180 kilometra janë salduar dhe rreth 162 kilometra janë rimbushur. Rreth 120 kilometra janë duke u rikthyer në gjendjen e mëparshme”, tha Givert.

“Kjo do të thotë se në mes të Greqisë dhe Shqipërisë, TAP-i ka pastruar dhe niveluar 95% të korridorit të tij, rreth 733 nga gjithsej 765 kilometra. Përveç kësaj, kemi salduar 90% të gypave të çelikut dhe rreth 78% të tubave tashmë janë nën tokë”, shtoi ajo.

Shefja e komunikimit të Projektit TAP vuri në pah se progresi në Itali përfshin momentalisht aktivitetet e lejes së dytë në përputhje me lejen fillestare të Ministrisë së Ekonomisë, lëshuar më 20 maj 2015.

“Kontraktori i TAP-it, Saipem, po punon aktualisht në zonën e mikrotunelit. Pas përfundimit të shumicës së punimeve përgatitore, ata tani janë gati të përfundojnë gërmimin e gropës, në mënyrë që të mundësohet ndërtimi i mikrotunelit”, sqaroi Lisa Givert.

Kompania e Projektit TAP AG është konstruktori, pronari dhe operatori i projektit. Mes partnerëve të projektit përfshihen grupi BP (Mbretëri e Bashkuar), Snam SpA (Itali) dhe Kompania e Korridorit Jugor të Gazit (Azerbajxhan) me nga 20% të aksioneve secila; Fluxys SA (Belgjikë) ka një pjesëmarrje me 19%, Enagas (Spanjë) me 16% dhe Axpo Trading (Zvicër) me 5%. /AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne