Kur metodat tradicionale dështojnë, duhet të bëheni kreativë!

Provinca perëndimore e Turqisë Aydın është bërë provinca e parë turke që i bashkohet listës të disa qyteteve anembanë botës që po eksperimentojnë një mënyrë të pazakontë por kreative në përpjekje për të ngadalësuar shoferët, ndërsa këmbësorët përpiqen që të kalojnë rrugën.

Bashkia Aydin ka instaluar vija të bardha tridimensionale në Bulevardin Hürriyet në zonën Efeler, të cilat nga larg duket sikur notojnë mbi asfalt.

Kryetarja i Bashkisë së Aydınit, Özlem Çerçioğlu tha se shpresonte se iluzioni optik do t’i detyronte shoferët që të ngadalësonin shpejtesinë afër kalimeve të këmbësorëve, duke e bërë kalimin e rrugës shumë më të sigurt.

“Siguria e këmbësorëve është shumë e rëndësishme për ne. Shumë shoferë e vënë jetën e këmbësorëve në rrezik duke mos e ulur shpejtësinë në vijat e bardha,” tha ajo.

Ajo deklaroi se vijat e bardha unike së pari do të përdoreshin në zonat pranë shkollave për t’i dhënë përparësi sigurisë së fëmijëve. Çerçioğlu tha gjithashtu se nëse rezultatet e një praktike të tillë do të ishin të kënaqshme, pjesa tjetër e vijave te bardha në provincë do të ktheheshin gjithashtu në 3D.

Kjo praktikë kreative nuk është e re. Kirgistani, Kina, India dhe Islanda kanë eksperimentuar me këtë praktikë dhe autoritetet deri tani kanë qenë të kënaqur me rezultatet.

Aydın, që përfshin dy zonat turistike të njohura të Turqisë, Kuşadası dhe Didim, ka një popullsi prej më shumë se 1 milion banorësh dhe gjatë verës numri i makinave në qytet rritet në mënyrë drastike.

Pavarësisht nga masat e sigurisë, fushatat publike, raportimet e mediave dhe madje edhe kërkesat e zyrtarëve të lartë qeveritarë, aksidentet kryesisht për shkak të shpejtësisë dhe pakujdesisë ende mbeten një problem në Turqi. Vitin e kaluar, 413,169 aksidente të ndodhura në gjithë Turqinë i morën jetën e 7,300 njerëzve dhe plagosën 303,000 të tjerë./dailysabah/Gazeta Impakt

45