Çavusoglu: Duam të shohim solidaritet të qartë nga aleatët në NATO

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu tha se Turqia ashtu si deri më sot edhe në të ardhme do të vazhdojë luftën e saj kundër organizatave terroriste pa bërë dallim.

Çavusoglu u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Turqi.

Ministri Çavusoglu gjatë konferencës për shtyp të organizuar pas takimit të mbajtur në zyrën e Presidencës në Pallatin Dollmabahçe në Stamboll tha se “Turqia deri më sot ka luftuar dhe do të vazhdojë të luftojë të gjitha organizatat terroriste pa bërë dallim”.

Ndërkaq në lidhje me operacionin “Burimi i Paqes” që filloi kundër elementëve terroriste në veri të Sirisë, shefi i diplomacisë turke tha se “Operacioni në fjalë synon t’i japë fund kërcënimit terrorist që vjen nga kufijtë tanë kombëtarë, të cilët formojnë kufijtë jug-lindorë të NATO-s dhe në këtë drejtim, është gjithashtu shumë e rëndësishme për sigurinë e territorit të aleancës”.

Çavusoglu theksoi se pritja më e natyrshme dhe legjitime e Turqisë është që aleatët e saj të tregojnë solidaritet brenda kornizës së pandashmërisë së sigurisë.

“Nuk mjafton të thuhet ‘I kuptojmë shqetësimet legjitime të Turqisë’. Ne duam të shohim solidaritet të qartë”, bëri të ditur Çavusoglu.

Ai rikujtoi se edhe më herët kanë parë propaganda që po zhvillohen kundër operacionit “Burimi i Paqes”, ndërsa vijoi me këto fjalë: “Edhe gjatë operacionit ‘Dega e Ullirit’ që u zhvillua para disa vitesh, pamë se propaganda e YPG/PKK-së nuk pati sukses. Në mënyrë të njëjtë pamë edhe propagandën e DAESH-it deri sa ishim duke e ndërmarrë operacionin ‘Mburoja e Eufratit’ kundër tyre. Me sa duket sa i përket çështjeve të civilëve dhe atyre humanitare askush nuk mund ti japë mësim Turqisë”.

“Vendet anëtare të NATO-s bënë të ditur se organizata separatiste terroriste YPG është e njëjtë me PKK-në dhe se shqetësimet e Turqisë për sigurinë kombëtare janë legjitime”, bëri të ditur Çavusoglu, ndërsa shtoi se “Nëse shqetësimet e Turqisë janë legjitime, atëherë edhe lufta kundër organizatave terroriste që janë shkaktare të këtyre shqetësimeve është e drejtë e jonë legjitime. Turqia ka përdorur deri në fund rrugën e diplomacisë dhe negociatave”.

Në lidhje me luftën kundër organizatës terroriste DEASH, Çavuşoğlu  tha se “DEASH-in pranojmë si armik i përbashkët dhe deri më sot, vetëm ushtria turke ka luftuar ballë për ballë me DEASH-in”.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s bëri të ditur që Turqia është një aleate e fuqishme e aleancës, ndërsa tha se “Asnjë anëtare e aleancës nuk ka qenë e ekspozuar ndaj sulmeve të ardhura nga rajoni i Lindjes së Mesme sikurse Turqia”.

Stoltenberg gjithashtu tha se me ministrin Çavusoglu i kanë bërë një vlerësim operacionit “Burimi i Paqes”, ndërsa shtoi se “Duhet të gjendet një zgjidhje për të siguruar që luftëtarët e DAESH-it të mbajtur në Siri të mbeten atje”.

Ai theksoi rëndësinë e Turqisë në luftën kundër DAESH-it, ndërsa tërhoqi vëmendjen në kontributet e saj në këtë drejtim.

“Turqia është një pjesë e rëndësishme e kësaj aleance dhe ne vlerësojmë kontributet tuaja për sigurinë kolektive, misionet dhe operacionet tona. Ju po e bëni NATO-n më të fortë,” përfundoi Stoltenberg./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne