Bota Islamofobi

40,000 njerëz mblidhen në Christchurch për t’i nderuar 50 viktimat e sulmit terrorist

Rreth 40,000 njerëz janë mbledhur në një park të qytetit Christchurch për t’i nderuar 50 viktimat e sulmit terrorist në xhamitë e Zelandës së Re. Tubimi, i mbajtur në North Hagley Park, filloi në orën 5 sipas kohës lokale me lutje të udhëhequra nga udhëheqësit myslimanë dhe të krishterë, pasuar me operë dhe një grup “kapa haka”.

Më 15 mars, i akuzuari australian, Brenton Tarrant, dyshohet se vrau 50 persona dhe 50 të tjerë u plagosën. 28-vjeçari e ka transmetuar sulmin terrorist në Facebook. Tarrant është akuzuar për vrasje dhe po mbahet në burgun e sigurisë maksimale në Zelandën e Re.

Organizatori i tubimit, Scott Esdaile, tha se ai e filloi planifikimin e ngjarjes menjëherë pas sulmit terrorist në Christchurch dhe donte të tregonte mbështetje për komunitetin mysliman.

“Ne kemi disa gjëra të tjera të planifikuara për mbrëmje. Shumë këngë, duam të sigurohemi që ta këndojmë këngën më të mirë ndonjëherë dhe ky është himni ynë kombëtar dhe ne duam ta këndojmë atë me zë të lartë dhe me krenari”, tha ai.

Autobusët dhe shtyllat e betonit kanë bllokuar rrugët pranë parkut dhe policia e armatosur rëndë po patrullon gjatë tubimit. Dyzet e dy viktima janë varrosur që nga sulmi terrorist, duke përfshirë një djalë trevjeçar. Grupi i viktimave prej 26 vetave u varrosën të premten e kaluar, shkruan “Daily Mail”.

OPINIONE