5 vjet në kampin e ISIS, ambasada shqiptare nuk ndihmon djalin të kthehet

Një histori rrëqethëse e sjellë nga emisioni “Le Iene” në Itali ka në fokus familjen me origjinë shqiptare Berisha.

Në vitin 2014, Valbona Berisha, e cila jetonte në Itali së bashku me familjen e saj vendos t’i bashkohet ISIS dhe të shkojë në Siri.

Por këtë udhëtim nëna e tre fëmijëve nuk e ndërmori vetëm pasi me vete mori djalin e saj të vogël Alvin. Që prej asaj kohe babai i tij, Afrim Berisha, nuk dinte asgjë për të voglin. Familja shqiptare jetonte në Itali që prej vitit 1995 dhe kishin edhe dy vajza të tjera përveç Alvinit të vogël.

Tre vite më parë ai iu drejtua emisionit “Le Iene” ku tregoi historinë e tij të dhimbshme sesi bashkëshortja e tij iu bashkua ISIS dhe mori djalin e tyre me vete. Sipas Berishës, ai nuk kishte vënë re asnjë ndryshim tek bashkëshortja e tij që mund të bënte që të mendonte se ajo po i bashkohej ISIS dhe shtetit Islamik.

Ai ka qëndruar 5 vite që pas ikjes së tyre pa ditur asgjë rreth fatit të të birit. Por pas 5 vitesh agoni duke mos ditur ku i vogli ishte, një letër vjen prej tij nga një kamp i kontrolluar nga forcat kurde, ku i kërkon të atit që t’a vinte merrte dhe se e donte shumë.

Gazetarët italianë të “Le Iene” së bashku me babain, Afrim Berishën kanë bërë të mundur gjetjen e vogëlushit shqiptar Alvin, i cili ndodhej në një kamp burgosurish në verilindje të Sirisë i kontrolluar nga forcat kurde.

Babë e bir u takuan vetëm pak ditë më parë në kampin Al-Hol të Sirisë. Ritakimi mes tyre ishte tejet prekës, ku babai vetëm qante dhe përqafonte të birin dhe ai i kërkonte të ktheheshin në shtëpi, në Itali si dhe të takonte motrat dhe gjyshin. I vogli dukej disi i përhumbur dhe kujtonte shumë pak fjalë italisht, megjithatë të dy u kuptuan në gjuhën shqipe me njëri-tjetrin.

Ndërkohë sipas autoriteteve kurde nëna e Alvinit, Valbona ka humbur jetën si pasojë e bombardimeve në Siri. Ajo ishte martuar me një xhihadist me të cilin kishte 3 fëmijë të tjerë. Por fatkeqësisht Alvin nuk është mirë fizikisht pasi gjatë bombardimeve, ku mbeti viktimë nëna e tij është plagosur në njërën këmbë që i vështirëson ecjen.

Për të bërë të mundur kthimin e Alvit në Itali, gazetarët italianë kontaktuan ambasadorin shqiptar në Turqi, Genti Gazheli të cilit i kërkojnë ndihmë për ta nxjerrë vogëlushin Alvin nga kampi Al Hol, pasi ai ka vetëm shtetësinë shqiptare, dhe vetëm autoritetet shqiptare mund të kërkojnë largimin e tij nga kampi.

Por me gjithë premtimet asnjë aksion konkret nga autoritetet shqiptare që prej 10 ditësh. Gjatë emisionit u bë e ditur se forcat kurde qe ruajnë kampin nuk lejojnë largimin e vogëlushit shqiptar pa praninë e një funksionari shqiptar./Opinion.al/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne