9 teza përse nuk kemi nevojë për mëshirën e oligarkëve

KLODI LEKA

Gjatë një takimi me biznesin e madh, kryeministri Rama shpalosi idenë e krijimit të një fondi bamirësie për njerëzit më të varfër të Shqipërisë, për të zbutur kështu perceptimin e pakëndshem të publikut ndaj biznesit të madh, perceptim që sipas tij “rrezikon te kthehet në egërsi shoqërore për motivet e gabuara”.

Siç duket, Rama dhe oligarket jane te frikesuar prej thellimit te pabarazise socio-ekonomike dhe betejave sociale në horizontin e së ardhmes. Kësisoj, tri pyetje dhe nga tri përgjigje.

PËRSE PERCEPTIMI I PUBLIKUT NDAJ PASUNARËVE NUK ËSHTË PARAGJYKIM I GABUAR?

1. Perceptimi negativ i publikut ndaj biznesmeneve te medhenj nuk eshte as artificial dhe as i gabuar, por pasoje e faktit se keta biznesmene bamires janë shfrytëzues të skajshëm të dhjetra mijëra qytetarëve në vendin e punës. Mjafton të pyesni punëtorët e Zamir Manes ose operatorët e Agron Shehajt për këta burra të mirë e bamirës.

2. Këta biznesmenë jane zhvates te pasurise publike përmes zhvatjes se buxhetit publik (PPP) dhe të hapesirave urbane. Shembull Shkelqim Fusha & co.

3. Pasurimi i këtyre biznesmene ka qenë i padrejtë dhe i pashëndetshëm. I padrejtë sepse kanë përdorur pushtetin politik për të bërë ligje, ngritur traret në dogana dhe për të mos paguar taksa. I pashëndetshëm sepse pasuria e tyre nuk ka prodhuar mirëqënie, por varfëri e frustrim tek masat e njerëzve.

PËRSE QYTETARËT NUK DUHET TË MASHTROHEN NGA BAMIRËSIA?

1. Nuk kemi nevojë për bamirësi, por me i dhene fund modelit korruptiv të koncensioneve që po falimenton arkën e shtetit dhe po zhyt shtetin e qytetarët në borxh të jashtëm.

2. Nuk kemi nevojë për bamirësi, por për më shumë vende pune. Pra për orientimin e kapitalit nga tregtia, betoni dhe spekulimi tek industria, inovacioni teknologjik dhe bujqësia.

3. Ne nuk kemi nevojë për bamirësi, por per paga me te larta, për taksa ndaj biznesit te madh e korporatave të huaja, si dhe për shtetëzimin e burimeve të mëdha natyrore si nafta, minierat, apo komunikacioni dhe (aero)portet.

PËRSE ALTERNATIVA E BAMIRËSISË ËSHTË POLITIKISHT DHE INSTITUCIONALISHT E DËMSHME?

1. Siç e kemi parë, bamirësia nuk e zgjidh nevojën për strehim, shëndet dhe jetë më të mirë. Pas çdo shtëpie të ndërtuar me shumë spektakël televiziv, në ekran shfaqen akoma e më shumë të pastrehë, të sëmurë, të vobektë. Përveç spektaklit dhe fetarizimit, bamirësia është shndërruar edhe në lavatriçe për pastrimin e parave.

2. Bamirësia e shndërron njeriun nga qytetar të revoltuar përballë keqqeverisjes dhe modelit varfërues ekonomik në lypsar që varet prej lëmoshës së atyre që janë përgjegjës për situatën e rënduar të tij.

3. Bamirësia e shkatërron thelbin kontraktual të shtetit. Për të drejtat themelore të njeriut si arsimi, puna, streha, shëndeti etj, shteti ka detyrime ndaj qytetarit, ndërsa biznesmeni jo. Shteti jep llogari, biznesmeni jo. Shtetit i paguajmë taksa, biznesmenit jo. Bamirësia është burracakëria e shtetit për të taksuar të paktët e pasur dhe shërbyer të shumtëve të varfër.

Si mbyllje, le të kujtojmë pakëz vargjet e Migjenit: bamirësia, kjo bijë bastarde e etërve dinakë; ose: mjerimi nuk do mëshirë, por të drejtë. Besoj se është koha për të vazhduar betejat sociale dhe për ti kujtuar Ramës e oligarkëve me të cilët është martuar qeveria se ne nuk jemi të varfër e ata të pasur, por ne jemi shumica dërmuese e popullit që krijon pasurinë të cilën ata kanë zhvatur. Milionat e tyre, janë djersa jonë. Parajsa e tyre, përgjegjëse për ferrin këtu poshtë./FB

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne