A ishin “partnerë” Facebook dhe Twitter, në masakrën e Kristçërç?

Nga Jennifer Bell

Gjigantët e mediave sociale, Twitter dhe Facebook, i janë përgjigjur kritikave në prag të masakrës në dy xhami në Zelandën e Re, teksa sulmet terroriste vdekjeprurëse, u transmetuan drejtpërdrejti në platformat, që kanë së bashku miliarda përdorues në mbarë botën.

Të premten, 49 persona u vranë në një sulm, ku një nga autorët filmonte veten duke qëlluar mbi besimtarët myslimanë, dhe duke e transmetuar sulmin e tij drejtpërsëdrejti në një video 17 minutëshe në Facebook, përveç publikimit të një postimi të gjatë në Twitter, që përmbante motivet racore për sulmin.

Pas sulmit, platformat e mediave sociale, u përpoqën të hiqnin nga Facebook, Twitter dhe Instagram videon e masakrës, të përshkruar si një “një akt të jashtëzakonshëm dhe të pashembullt të dhunës”, nga kryeministrja e vendit Xhakinda Ardern.

Një zëdhënës i Twitter, tha për “Arab News, se kishte pezulluar llogarinë në fjalë, dhe se ishte “duke punuar në mënyrë proactive, për të hequr përmbajtjen e videos nga shërbimi”. Të dyja tha ai, janë në kundërshtim me politikat e rrepta të Twitter.

“Ne jemi thellësisht të pikëlluar, që pamë direkt masakrën në Kristçërç. Twitter ka procedura rigoroze, dhe një ekip të përkushtuar për menaxhimin e situatave emergjente të tilla si kjo. Ndërkohë, ne do të bashkëpunojmë me agjencitë e zbatimit të ligjit, për të lehtësuar hetimet e tyre”- tha zëdhënësi.

Edhe Facebook, deklaroi gjithashtu se kishte fshirë pamjet, si dhe gjithë postimet me “lëvdatat ose mbështetje” për vrasjet. “Ne do të vazhdojmë të punojmë drejtpërsëdrejti me policinë e Zelandës së R. Jemi solidarë me viktimat, familjet e tyre dhe komunitetin e prekur nga ky akt i tmerrshëm”- u shpreh Mia Garlik, përfaqësuese në Facebook në Zelandën e Re.

Por pavarësisht reagimit, videoja është sërish në internet, dhe ekspertët thonë se ky është një shembull i frikshëm, se si uebsajtet e mediave sociale, po bëhen gjithnjë e më shumë platforma, ku terroristët përhapin ideologjinë e tyre të nxitur nga urrejtja.

Pas maskrës, Musharaf Zaidi, një ish-këshilltar i qeverisë, tashmë analist në medias që punon për think-tankun “Tabadlab”, shkroi në Twitter:”Është e pabesueshme që si Facebook dhe Twitter, kanë dështuar të fshijnë videon e sulmin terrorist në Kristçërç. Çdo shikim i këtyre videove, është një kontribut i mundshëm për aktet e ardhshme të dhunës. Këto platforma, kanë dështuar deri më sot të përmbushin përgjegjësitë e tyre”.

Sipas tij, një nga sfidat më komplekse të qeverisjes globale, me të cilën ballafaqohet komuniteti ndërkombëtar, janë normat se si duhet të rregullohet aktiviteti i mediave sociale. Zahed Amanullah, bashkëpunëtor në Institutin për Dialog Strategjik, tha se disa njerëz që shohin video të tilla “mund të frymëzohen” për të kryer një akt të ngjashëm terrorist.

“Njerëzit janë kureshtarë, dhe duan të shohin ‘fruta të ndaluara’, pa marrë parasysh përmbajtjen e tyre”- theksoi ai. Sipas Amanullah, e vetmja mënyrë për të parandaluar tërësisht përsëritjen e kësaj ngjarje, është rritja e mbikëqyrjes së rrjeteve sociale./ “Arab News”/ gazeta mendimi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne