A po shkojnë Rusia dhe Amerika drejt një lufte bërthamore mes tyre?

nga Dimitri Alexander Simes.

Javën që kaloi, delegacionet amerikane dhe ruse u takuan midis tyre në Gjenevë të Zvicrës, për të diskutuar mbi kontrollin e armëve bërthamore. Në biseduam me Viktor Murakhovskin, një kolonel rus në pension, analist i çështjeve të mbrojtjes, dhe kryeredaktor i revistës “Arsenali i atdheut”, për të na sqaruar më mirë perspektivën ruse, mbi të ardhmen e kontrollit të këtyre armëve.

Vjeshtën e kaluar, presidenti Donald Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara, do të dalin nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Ndërmjetme (INF). Kohët e fundit, këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton, tha se Uashingtoni nuk është i sigurt nëse do të zgjasë qëndrimin e tij në traktatin e ri START. Si reagoi Moska ndaj këtyre zhvillimeve?

Mendoj se traktati i INF, u përmbyll në rrethana shumë të veçanta. Gjatë kësaj kohe, raketat balistike ishin praktikisht lloji i vetëm i raketave me rreze të mesme, pasi raketat lundruese sa po fillonin të zhvilloheshin. Prandaj, ekzistonte një kërcënim, përderisa koha e fluturimit të një rakete nga Republika Federale e Gjermanisë në pjesën perëndimore të Bashkimit Sovjetik, ishte vetëm 12-15 minuta.

Nëse shihni elementët teknike të traktatit, ai përqendrohej në ndalimin e zhvillimit të raketave balistike me rreze të mesme, dhe në fund në zhdukjen e këtyre lloj armëve. Sot situata ushtarake ka ndryshuar ndjeshëm. Në SHBA dhe Rusi, raketat kryesore me rreze të ndërmjetme, janë raketat ajrore dhe ato që lundrojnë nën ujë.

Meqë rrethohet nga vendet e NATO-s, për Rusinë lloji i raketave nuk bën ndonjë diferencë. Në këtë kuptim, synimi i traktatit për Moskën, tashmë nuk ekziston. Në të njëjtën kohë, është edhe zhvillimi i teknologjisë së dronit. Dronët mund të kryejnë mbledhjen e informacioneve të inteligjencës, apo të ndërmarrin sulme.

Sipas neneve të traktatit të INF në lidhje me raketat lundruese, dronet hyjnë dyshim në këtë kategori. Aktualisht, Rusia nuk ka armë të tilla, dhe sipas meje ankesa drejtuar SHBA-së mbi këtë çështje, do të ishte absolutisht një budallallëk. Askush nuk do të reduktojë apo zhdukë këto lloj armësh.

Kur kam pyetur analistë të tjerë rusë, rreth propozimit të fundit mbi kontrollin e armëve nga ana e Trump, ata shprehën shqetësimin se ky mund të ishte një justifikim cinik për daljen nga traktati i ri START, ose për të krijuar një çarë edhe më të thellë në reportet mes Rusisë dhe Kinës? A ndani ju të njëjtin vlerësim?

Mendoj se propozimi është krejtësisht i papërshtatshëm, dhe unë nuk e di se me çfarë qëllimi është bërë. Sa i përket qëllimit për të futur përçarje mes Rusisë dhe Kinës, ky propozim nuk ka asnjë ndikim. Dihet që Traktati START, shihet nga shumë prej ekspertëve dhe këshilltarëve politikë të Trump si një marrëveshje e panevojshme.

Pikëpamja e tyre është:”Le të bëjë çdo vend atë që do, lidhur me armët e veta strategjike sulmuese, pasi askush nuk do të fitojë një avantazh kaq absolut, sa të jetë në gjendje të shkatërrojë në mënyrë të njëanshme një kundërshtar, pa pësuar një goditje hakmarrëse prej tij”. Nga pikëpamja teknike ushtarake, ky është një pozicion me të cilin bie dakord edhe unë.

Në rastin e një konflikti strategjik, ku do të përfshihen edhe armët bërthamore ndërkontinentale, asnjëra palë nuk do të bëjë diferencën sesa raketa përdor. Tani për tani, traktati e kufizon përdorimin në 800 mbushje bërthamore, në rast se njëra palë ka 1500 mbushje, por kjo nuk e ndryshon fare rezultatin.

Dhe të gjitha distimet mbi goditjet e para dhe ato hakmarrëse, nuk janë gjë tjetër veçse një ushtrim intelektual patologjik, që ka pak lidhje me planet e luftës, me vendosjen e forcave të armatosura në botën reale, dhe me mënyrën se si zhvillohen luftërat.

Nuk ka për të ndodhur që presidenti Trump apo Putin, vetëm pse janë zgjuar keq një mëngjes, të vendosin të shtypin butonin e madh të kuq. Kjo thjesht s’ka për të ndodhur. Vendosja e forcave të armatosura dhe përgatitja e sulmeve ndaj një kundërshtari, kërkon një kohë të konsiderueshme.

Fshehja e një përgatitjeje të tillë, është absolutisht e pamundur. Ndaj, edhe nëse traktati i ri START do të pushojë së ekzistuari, bota nuk do të kthehet përmbys. Njëherazi, besoj se një traktat i tillë është jashtëzakonisht i rëndësishëm nga pikëpamja politike, pasi është në fakt instrumenti i vetëm që i lejon që të dyja palët të inspektojnë njëra-tjetrën, dhe të krijojnë një nivel të caktuar të besimit, që askush nuk është duke prodhuar fshehtazi armë të tjera bërthamore, dhe se të dhënat që shkëmbejnë të dyja palët, përputhen me realitetin.

Pra ju nuk ndani shqetësimin e shumë analistëve në Uashington, se nëse rrëzohet traktati i INF-it, dhe më pas traktari i ri START, ne mund të shohim një garë të re armatimesh midis Rusisë dhe Shtetet e Bashkuara?

Unë nuk mendoj se do të ketë një luftë të tillë, dhe madje nuk ka kuptim që të ketë. Pozicioni aktual i Kinës mbi këtë çështje, më duket mjaft i arsyeshëm. Pekini zotëron aftësi financiare dhe teknike, për të ndërtuar një arsenal bërthamor të krahasueshëm me atë që kanë sot Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.

Por nuk po e bën, dhe as nuk ka plane ta bërë një gjë të tillë. Përkundrazi, ka zgjedhur të mbajë një arsenal bërthamor në nivelin që e konsideron të mjaftueshëm, për t’i shkaktuar një goditje të kushtueshme një kundërshtari  të mundshëm. Nuk ka shenja se Kina po hyn në një garë sasiore të armëve bërthamore, pasi një garë e tillë e ka humbur plotësisht qëllimin e saj të dikurshëm.

Sigurisht, konkurrenca në fushën e teknologjisë ushtarake do të vazhdojë. Një shembull i qartë është prezantimi nga Rusia i raketave të saj hipersonike “Avangard”. Por duhet të kuptojmë se këto teknologji nuk lindën papritmas dje. Ato u zhvilluan përgjatë disa dekadave, duke filluar që me Bashkimin Sovjetik gjatë viteve 1980.

A do ta kenë këtë teknologji edhe Shtetet e Bashkuara? Nuk ka dyshim që po. Me nivelin aktual të financimit dhe përpjekjeve, në SHBA ka shumë kompani që janë në gjendje të ndërtojnë versionin e tyre të kësaj teknologjie. A do ta shkatërrojë kjo stabilitetin strategjik?

Jo, s’do të ndodhë, pasi këto janë “armë të Ditës së Gjykimit”, siç thonë ata, dhe ato garantojnë një sulm hakmarrës. Prandaj, mendoj se edhe nëse nuk do të zgjatet traktati i ri i START-it, nuk do të ndodhë asnjë gjë katastrofike në sferën ushtarako-teknike. Por diçka katastrofike do të ndodhë me besimin ushtarako-politik midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Situata në këtë fushë, është tashmë shumë e vështirë, dhe vetëm sa do të përkeqësohet./nationalinterest/tiranatoday

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne