Opinion

Administrata Trump shfrytëzon dështimin e Shqipërisë si shtet, Rama hesht

nga Anne Khodabandeh.

Që prej marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE në vitin 2014, Shqipëria është munduar shumë duke u shtirur sikur çfarëdo qeverie që drejton vendin është e aftë që ti përfundojë reformat e brendshme të nevojshme për tu anëtarësuar në BE. Pas zgjedhjeve problematike në qershor 2017, kryeministri Edi Rama dhe udhëheqësi i partisë opozitare Lulzim Basha premtuan të punojnë për të mirën e Shqipërisë. Megjithatë shqiptarët e zakonshëm të shqetësuar për papunësinë dhe pagat e ulëta, së bashku me problemet e tjera të brendshme, vazhdojnë ta lënë vendin duke mos pritur kohëra më të mira. Por problemet e Shqipërisë janë akoma më të mëdha se këto.

Askund nuk janë më të dukshme ato sesa janë tani në marrëdhëniet e Shqipërisë me administratën Trump. Një fjalim i javës së kaluar nga këshilltari ligjor i Trumpit, Rudy Giuliani në Uashington, tregoi plotësisht se John Bolton, John McCain dhe administrata agresive Trump janë në gjendje që pa rezerva të shfrytëzojnë dhe përfitojnë nga Shqipëria si shtet i dështuar që është.

Po, Shqipëria është një shtet i dështuar. Si mos të jetë kur ky vend po strehon një organizatë terroriste, Moxhahedin Khalq (MEK), e cila kërkon ndryshimin me dhunë të regjimit iranian dhe e ka sjellë armiqësinë mes Izraelit dhe Iranit në Tiranë. Megjithatë qeveria shqiptare nuk ka dalë kundër tyre dhe as që ka mbajtur ndonjë pozicion për këtë skandal.

Në nëntor 2013, Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë kërkesën e SHBA-së për të lejuar që armët kimike nga Siria të shkatërroheshin në territorin shqiptar për shkak të protestave popullore. Por pasi qe amerikanët i lanë në dorëzim 3000 terroristë dhe më pas u tërhoqën edhe nga marrëveshja e tyre për të ngritur një institut de-radikalizimi për rehabilitimin e tyre, kryeministri Rama heshti. Ndoshta për shkak edhe të aftësisë së MEK-ut për të manipuluar mediat shqiptare; duke i paguar për të botuar artikuj që e portretizojnë grupin si viktimë.

Askush nuk duhet të ketë asnjë fije dyshim në mendje. MEK është një grup terrorist. Shqipëria nuk mund të strehojë një grup terrorist pa pasur pasoja. Vendi nuk është Afganistani, Iraku apo Siria në të cilët grupet fshihen brenda kaosit dhe dhunës. Shqipëria është një vend paqësor, demokratik i cili dëshiron ti bashkohet Bashkimit Evropian.

Rudy Giuliani thotë se “po ndërtojnë një qytet të bukur në periferi të Tiranës” nga i cili do të nisin një fushatë për ndryshimin e regjimit iranian. Kampi Ashraf 3 i MEK-ut është një kamp ushtarak i mbyllur dhe i izoluar dhe jo një “qytet i bukur”. MEK është një kult, ndërsa mbi 2,000 anëtarë të tij jetojnë atje në gjendjen e skllavërisë moderne, jo të lirë. Megjithatë ky grup mercenar është i dobishëm për Amerikën në mbledhjen dhe sigurimin e informacioneve. Në thelb, MEK është një organizatë spiune.

Giuliani nuk është i vetëm në pretendimet e tij se mbështetja ndaj MEK-ut i ka përshpejtuar në mënyrë dramatike aftësitë për të sjellë lirinë në Iran. Emërimi i John Boltonit kohët e fundit nga Donald Trump ishte i debatueshëm pikërisht sepse edhe ai e ka përkrahur këtë grup. Ai ka kaluar shumë kohë gjatë dekadave të kaluara duke përkrahur bombardimet ndaj Iranit dhe duke i bërë thirrje qeverisë amerikane për të ndihmuar në përmbysjen e qeverisë iraniane dhe instalimin e MEK-ut si një regjim kukull.

Pozita e SHBA-së (dhe Izraelit) ndaj Iranit është e njohur. Urrejtja ndaj Iranit është tipike dhe e institucionalizuar në të gjithë strukturën politike amerikane. Por çfarë e lidh Shqipërinë me të gjitha këto? Para se MEK-u të ngecej në këtë vend nga sekretarja e atëhershme e shtetit, Hillary Clinton, marrëdhëniet e Shqipërisë me Iranin ishin miqësore dhe paqësore, të përqendruara më shumë tek lidhjet e ngushta kulturore dhe tradicionale sesa tek përfitimet e vogla ekonomike apo politike.

Tani, papritmas, për shkak të apatisë së plotë të Kryeministrit Rama dhe qasjes së tij me “kokën në rërë” ndaj procesit të pranimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria është zhndërruar në një bazë lufte kundër Iranit.

Giuliani nuk e mori në Uashington kreun e MEK-ut Maryam Rajavin për ta bërë njoftimin e tij sepse ai dhe grupi i tij i luftëtarëve të njohur i dinin pasojat. Askush nuk i beson asaj edhe për të organizuar një vizitë të vetme dy-ditore në Londër, Uashington apo Tel Aviv sepse dihet se ajo do të kërkonte azil. Ata duan efektin toksik të MEK-ut, por jo në vendet e tyre.

Ky efekt toksik u zbulua muajin e kaluar në një debat tryeze të rrumbullakët në Parlamentin Evropian. Ekspertët u mblodhën për të dhënë dëshmi rreth ndikimit të padëshiruar të MEK-ut në marrëdhëniet parlamentare në cilindo vend që ata ndodhen. Delegatët ranë dakord se problemi themelor me MEK-un është se grupi nuk është nën përgjegjësinë e askujt, as edhe në përkrahësit e tij amerikanë. Si pasojë, ai vepron pa u ndëshkuar në Shqipëri sikur të ishte mbi ligjin.

Kur Federica Mogherini, shefja e politikës së jashtme të BE-së dhe komisioneri i zgjerimit Johannes Hahn do të marrin në konsideratë statusin e Shqipërisë si një vend kandidat për në BE, ata do të shohin evidencat e reformave dhe progresit ose do të shohin realitetin e trishtuar të Shqipërisë që është kthyer në një shtet i dështuar dhe i shfrytëzuar nga Amerika, Izraeli dhe MEK në luftën e tyre kundër Iranit./balkanspost/Gazeta Impakt

Anne Khodabandeh, është një eksperte e aktiviteteve anti-terroriste dhe një aktiviste e vjetër në fushën e deradikalizimit të ekstremistëve. Ajo ka shkruar disa artikuj dhe libra mbi këtë temë, së bashku me bashkëshortin e saj, i cili është me origjinë iraniane.