Akademia Suedeze e Nobelit përfshihet në abuzime seksuale: Ky vit nuk do të ketë çmim Nobel për letërsinë

Akademia Suedeze që organizon Çmimin Nobel për Letërsi, njoftoi të premten se nuk do të ketë çmim të tillë për vitin 2018, si pasojë e pretendimeve për abuzime seksuale që shkaktuan trazira në mesin e anëtarëve të Akademisë, duke hedhur kështu një hije të rëndë mbi çmimin prestigjioz vjetor.

Sekretari i përhershëm i grupit, Anders Olsson, tha: “E shohim të nevojshme të kthejmë besimin e publikut në Akademi para se laureati i ardhshëm të shpallet.”

Ai shtoi se ky institucion kulturor gjithashtu ka marrë vendim për të shtyrë çmimin e vitit 2018 “nga respekti për laureatët e mëparshëm dhe të ardhshëm letërsisë, Fondacioni Nobel dhe publiku i gjerë.”

Akademia tha se kishte për qëllim dhënien e çmimit të letërsisë për vitin 2018 – në vitin 2019.

Fondacioni i Çmimit Nobel që menaxhon mjetet për serinë e Çmimeve Nobel, tha se mbështeti vendimin për këtë shtyrje.

“Kriza në Akademinë Suedeze ka ndikuar negativisht në Çmimin Nobel”, ka thënë Carl-Hendrik Heldin, president i bordit të fondacionit.

Vendimi i Akademisë “nënvizon seriozitetin e situatës dhe do të ndihmojë të mbrojë reputacionin afatgjatë të Çmimit. Asnjë ndikim nuk do të ketë në dhënien e çmimeve Nobel në kategoritë tjera të vitit 2018”, shtoi ai.

Akademia Suedeze theksoi se nuk është hera e parë që ka vendosur të bëjë këtë shtyrje: grupi shpalli “Çmimin rezervuar” më 1915, 1919, 1925, 1926, 1927, 1936 dhe 1949. Pesë nga këto shpërblime u shtynë të jepen në të njëjtën kohë në vitin e ardhshëm.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne