Rajoni

Albin Kurti thotë se problemi më i madh aktual për Kosovën në rajon është qëndrimi agresiv i Serbisë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se problemi më i madh aktual për Kosovën në rajon është qëndrimi agresiv i Serbisë. Sipas tij, “armiqësia potenciale e Serbisë ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve ende vazhdon dhe kjo e bën rajonin të jetojë në tension të vazhdueshëm”.

Kurti, i cili qëndroi për vizitë në Turqi me një delegacion javën e kaluar, për Anadolu Agency (AA) vlerësoi marrëdhëniet Turqi-Kosovë, anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO, si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë.

Ai tha se Turqia në vitin 1999 gjatë luftës në Kosovë duke e mobilizuar NATO-n, ka luajtur rol të madh për përfundimin e luftës, gjë e cila është shumë e vlefshme për popullin kosovar.

“Gjatë vizitës sonë, përshtypja ime që është nga takimet që kam bërë ishte se politikanët turq janë duke ndjekur zhvillimet politike në Kosovë dhe se janë shumë të informuar rreth kësaj çështje. Gjithashtu vëzhguam se edhe Lëvizjen Vetëvendosje e ndjekin prej afër. Në bisedimet që zhvilluam gjithashtu ramë dakord që të zhvillojmë marrëdhëniet tona bilaterale”, u shpreh ai duke treguar se gjatë vizitës së tij në Turqi është takuar edhe me zyrtarë nga qeveria, por edhe emra nga partitë opozitare.

Duke folur për zhvillimet ekonomike mes dy vendeve, ai tha se Turqia, pas Gjermanisë dhe Anglisë, është vendi i tretë me radhë që investon më së shumti në Kosovë, por se kanë nevojë edhe për më shumë investime.

“Jam i bindjes që ka nevojë për më shumë investime. Në Kosovë ka një papunësi serioze. Shumë njerëz tanë janë papunë. Pavarësisht nga kjo, kemi të rinj jashtëzakonisht inteligjent dhe të mençur. Në Kosovë nga çdo 8 gra vetëm një punon. Më shumë se gjysma e të rinjve tanë janë papunë. Mendoj se Turqia duhet të fokusohet në sektorë që do të eliminojnë papunësinë. Investimet që do të zbresin shifrat e papunësisë në Kosovë, do të mundësojnë punësim për mendjet tanë të rinj”, tha ai.

Duke folur për taksat, të cilat Kosova ka imponuar ndaj mallrave serbe, Kurti tha se, “Është bërë një punim në lidhje me taksat 100 për qind që qeveria e Kosovës i vendosi për mallrat serbe. Si rezultat i kësaj Turqia, Izraeli dhe Sllovenia ishin shtetet që përfituan më së shumti nga kjo taksë”.

Kurti tha se subjekti i tij në Turqi njihet si lëvizje më shumë se parti. Ai gjithashtu tha se Turqia i ndihmon Kosovës.

“Sipas meje në Qeverinë e Kosovës kushdo që të jetë Turqia do të vazhdojë mbështetjen e saj. Ne dëshirojmë të krijojmë dhe vazhdojmë marrëdhënie me Turqinë qoftë edhe nëse jemi në pushtet qoftë edhe opozitë. Gjatë vizitës sonë nga Turqia kërkuam që mos të zhvillojë politikë veç për Shqipërinë e veç për Kosovën në politikën e saj ndaj Ballkanit, por të përcaktojë një politikë të përbashkët ndaj të dyja vendeve. Në rast se bëhet fjalë për një politikë të përbashkët, Kosova mjaft do të përfitojë nga investimet. Kemi nevojë si kosovarë që biznesmenët turq dhe me origjinë shqiptare në Turqi të vijnë në Kosovë dhe të bëjnë më shumë investime”, u shpreh Kurti më tej.

Sipas Kurtit, në Turqi jetojnë rreth 5 milionë shqiptar, ndërsa në rast se vijnë në pushtet shqiptarëve që janë në diasporë sërish do t’u japin pasaporta dhe do të nxjerrin ligjet e nevojshme që të mund të bëhen shtetas.

Kurti tha se do t’i heqin çdo lloj pengese, e cila vështirëson që shqiptarët të kenë shtetësi të dyfishtë.

“Ka pengesa burokratike, të cilat burojnë nga shteti. Jemi nga heqja e të gjitha pengesave ligjore. Gjithashtu në Turqi kemi shumë studentë kosovarë që zhvillojnë studimet e tyre. Do t’u mundësojmë atyre që të bëjnë praktikë në Kosovë”, deklaroi Kurti.

Ai më tej foli edhe në lidhje me dokumentet rreth historisë shqiptare që gjenden në arkivat në Turqi.

“Do të mundësojmë hapjen e arkivave në lidhje me historinë dhe civilizimin shqiptar që gjenden në Turqi. Do të mundësojmë financa për osmanologë dhe historianë që do të bëjnë hulumtime në lidhje me këtë çështje. Besojmë se nëse hapen këto arkiva, shqiptarëve do t’u forcohen argumentet ndaj serbeve. Një miku im, profesor universitar më kishte treguar se një të pestat e arkivave në lidhje me historinë e Shqipërisë në Turqi janë të njohura”, tha Kurti.

“Thuhet se në regjistrimin e popullit që Perandoria Osmane e ka bërë në vitin 1908, është regjistruar bile edhe numri i qimeve të qenit. Prandaj, pasi ne t’i hapim këto arkiva do të dal në pah se një sërë pretendime që Serbia i bën ndaj Kosovës dhe Shqipërisë, janë gënjeshtra mitologjike dhe se nuk janë të vërteta. Ashtu siç pavarësia dhe sovraniteti janë të rëndësishme për ne, gjithashtu duhet të bëjmë dekolonizimin”, shtoi ai.

Kurti theksoi se do t’i japin fund, siç tha, keqqeverisjes dhe korrupsionit me ardhjen në qeveri dhe shtoi se edhe populli i Kosovës i mbështet në këtë drejtim. Sipas tij, Kosova është duke përjetuar një krizë politike dhe ekonomike.

“Në institucionet e shtetit ka korrupsion. Nëse vijmë në pushtet, përgjegjësia jonë e parë do të jetë lufta kundër korrupsionit. Na pret shumë punë. Ne jemi të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm për këtë gjë. Duhet të sigurojmë sërish që populli i Kosovës të ketë besim në institucionet e shtetit. Në të njëjtën kohë, ne duhet të sjellim investime nga jashtë për rigjallërimin e ekonomisë. Synojmë edhe rritjen e numrit të kompanive të vogla, të mesme dhe të mëdha. Ne nuk do të lejojmë nepotizmin. Gjatë punësimeve, qoftë në burokracinë shtetërore, qoftë në kompanitë publike, për bazë do të marrim meritat”, shprehet Kurti.

“Në anën tjetër, diaspora e Kosovës sjell në vend mundësi sa gjysma e buxhetit të Kosovës. Megjithatë, këto para që vijnë nga jashtë, menjëherë shkojnë jashtë vendit për shkak të deficitit korrent. Nevoja jonë reale është të bëhen investime në fushat të cilat do ta zvogëlonin importin dhe do ta rrisnin eksportin. Përkundër zhvillimit kaq të madh teknologjik, ne blejmë hudhra nga Kina dhe pula nga Brazili. Kjo gjendje është e papranueshme. Kosova është vend me toka pjellore. Si një kosovar, si lider politik, unë asnjëherë nuk besoj se Kosova është shtet i varfër. Problemi i vetëm është keqqeverisja, politikat e këqija ekonomike, varësia në burime të jashtme, korrupsioni dhe të qenët shtet i kolonizuar me vite”, shton Kurti.

Kurti më tej thotë se shpresën për ndryshimin e sistemit në Kosovë e marrin nga të rinjtë, të cilët, siç thekson ai, vëzhgojnë shumë mirë çdo gjë që ndodh.

“Qeveria në Kosovë zgjerohet, rritet, kurse shteti ngushtohet gjithnjë e më shumë. Të rinjtë e shohin këtë dhe besojnë se do ta ndryshojmë. Ne do të ndërtojmë urë midis arsimit dhe konomisë. Në veçanti, do t’i japim rëndësi arsimit teknik dhe ekonomik, pra, shkollave profesionale. Do t’i kanalizojmë të rinjtë në ekonomi që duke qenë nxënës. Do t’i shkollojmë të rinjtë në shkolla që ofrojnë arsim të mirë. Një tjetër çështje që i japim rëndësi është profesionalizmi. Për këtë, fëmijët tanë do t’i dërgojmë jashtë vendit dhe do të sigurojmë mbështetje në profesionalizimin e tyre në fushat që zgjedhin”, thekson Kurti.

Lidhur me shaminë, ai tha se mbulesa islame e femrave nuk duhet të jetë problem i qeverive dhe e cilësoi si të padrejtë ndalimin një preference individuale apo fetare nga ana e qeverive.

“Shamia është diçka që ka të bëjë me të drejtat dhe liritë e njeriut. Andaj, nëse vijmë në qeveri, edhe kjo çështje në Kosovë do të eliminohet. Një shkrimtar shqiptar ka thënë se ne nuk jemi rrobaqepës që të vendosim se çfarë do të veshin apo vendosin njerëzit, apo për gjatësinë e tyre”, tha Kurti.

Kurti shprehet se Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja Jugore janë kundër integrimit të Kosovës në BE dhe vazhdimisht bëjnë pengesa edhe për integrimin në NATO.

“Këto shtete nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur. Përkundër të gjitha pengesave, ne duam të fokusohemi në problemet e zhvillimit të shtetit tonë. Para se gjithash, ne e kemi të domosdoshme të sigurojmë një strukturë shtetërore demokratike në Kosovë, një zhvillim ekonomik solid dhe, më e rëndësishmja, ta forcojmë dhe zgjerojmë kapacitetin e mbrojtjes dhe atë ushtarak. Ne përpiqemi në këtë drejtim. Aq sa kemi mundësi, përpiqemi të lobojmë jashtë vendit për njohjen e Kosovës”, thotë Kurti.

Ai thekson se është në favor të asaj që BE të mos ndërpresë politikën e zgjerimit.

“Gjersa pesë vite më parë kreu i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, deklaroi se BE nuk do të zgjerohej në pesë vitet e ardhshme, ndodhi Brexit-i. Pra, nëse nuk zgjerohesh, ngushtohesh. Ne si parti mendojmë që gjashtë vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Turqinë, duhet të integrohen në BE”, vlerëson lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili, megjithatë, thotë se kaosi politik në Ballkan ende vazhdon.

“Më shumë sesa për shkaqe etnike, krizat politike bazohen në shkaqe fetare. Në rajon ndodhi konflikt boshnjako-serb dhe kjo është një nga ngjarjet më tragjike të historisë së rajonit. Konflikti serbo-shqiptar në Kosovë edhe sot vazhdon ideologjikisht. Sipas meje, problemi më i madh aktual i Ballkanit është Serbia, sepse edhe pse u zvogëlua vazhdimisht, ajo ende ëndërron Serbinë e madhe”, shprehet ai.

“Armiqësia potenciale e Serbisë ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve ende vazhdon. Dhe kjo e bën rajonin të jetojë në tension të vazhdueshëm. Me ëndrrën e një Serbie të madhe, përpiqet të zhdukë të gjitha shtetet e vogla të krijuara pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Ende e mban të gjallë brenda armiqësinë potenciale. Serbia donte të bënte grushte shteti në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, por nuk pati sukses. Madje, në këto tentativa për grusht shteti, ajo veproi së bashku me Rusinë. Ndërkaq, tani dëshiron t’i zhdukë Kosovën dhe Bosnjën që pjesërisht janë të dobëta. Pra, problemi më i madh i Kosovës në rajon është qëndrimi agresiv i Serbisë. Unë nuk jam kundër popullit serb, por Serbia është kundër nesh. Në këtë aspekt, ne duam të krijojmë marrëdhënie më të afërta dhe bashkëpunim me Shqipërinë. Sado që të jemi dy shtete të ndryshme, ne jemi një komb”, tha në fund Albin Kurti. (AA)

OPINIONE