Shqiperia

Arben Malaj: Rama është bërë i frikshëm, jo vetëm për deputetët, por edhe familjet e tyre

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka folur sot në parlament për vendimin e maxhorancës për ta shkarkuar si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, aktualisht i pezulluar me firmë të zëvendëskryeministrit Erion Braçe.

Ndërsa parlamenti pritet të votojë sot edhe për shkarkimin e tij, Malaj shprehu keqardhje për votimin në rresht nga deputetët në Komisionin e Ekonomisë.

Ai kujtoi se nuk është hera e parë që kërkojnë ta shkarkojnë nga detyra, ndërkohë që deklaroi se i mirëkuptonte deputetët, ish-kolegët e tij pasi “kryeministri Edi Rama është kthyer në një njeri të frikshëm për ata dhe vetë familjet e tyre”.

“Në komision ndjeva trishtim për votimin në rresht të deputetëve. I mirëkuptova sepse zoti Rama është bërë i frikshëm. Është bërë i frikshëm jo vetëm për deputetët por edhe familjet e tyre dhe fatkeqësisht edhe për popullin shqiptar. Ndiej trishtim për vendim tim që shkarkimin që nuk e arriti dot PD në 1992 dhe as në ’97 do ta bëjë sot kryetari i Rilindjes. Hakmarrjet primitive nuk më trembin por më vret në shpirt trendi jo pozitiv që kanë marrë zhvillimet politike në vendin tonë. Ky ballafaqim publik nuk është për një karrige. Kurrë nuk e kam shitur dinjitetin, integritetin dhe profesionalizmin tim tek askush, përfshirë dhe oligarkët që iu afrohen të gjithë ministrave”, u shpreh Malaj.

Ai tha më tej se i ka zbatuar detyrat e tij në BSH.

“Kush po e pengon BSH për të qenë efektive ju zoti Rama apo unë. Ne ju vështirësojmë të tashmen dhe u vjedhim të ardhmen popullin tonë.
Sot Rilindja po bën një gjyq politik. Prandaj mijëra vite më parë Konfuci theksonte: Në një vend që keqqeveriset pasuria personale është ajo për të cilën turpëroheni. Kjo është hera e tretë që kërkohet heqja e një imuniteti në këtë parlament. Kërkesa e parë ishte në vitin 1992 për heqjen e imunitetit të Genc Rulit dhe Rexhep Ukës, ajo dështoi sepse PD-ja kishte deputetë me integritet. Kërkesa e dytë ishte në vitin 2004 për t’i hequr mandatin Nikoll Lesit, gazeta e të cilit “Koha Jonë” përshpejtoi fundit e PD-së në vitin 1997. PS shpëtoi nga njolla e zezë e heqjes së imunitetit të një gazetari që edhe sot mbetet simbol i fjalës së lirë. Sot Rilindja po bën një gjyq politik. Në vitin 1992 Gramoz Ruçi mbronte Rulin dhe Ukën, ndërsa në vitin 2019 në hapat e fundit të karrierës politike rrezikon që Kuvendi që ai drejton të marrë me vete turpin politik në historinë e parlamentarizmit shqiptar, të dënohen anëtarë të institucioneve kushtetuese vetëm se kanë guxuar të kritikojnë paaftësinë, arrogancën dhe babëzinë sa herë ajo shfaqet. Nuk është hera e parë që kërkojnë të më shkarkojnë. Në vitin 1992 isha drejtor i BKT në Vlorë, PD sapo erdhi në pushtet kërkoi me ngulm shkarkimin tim, Ruli ministër i financave dhe i ndjeri Hoti, guvernatori i Bankës nuk e firmosën kurrë shkarkimin tim, biles nuk e firmosën as kur në vitin 1992, në atë situatë terrori politik unë vendosa të isha kandidat i PS për kryetar të bashkisë së Vlorës, arsyeja e vetme e tyre ishte se isha diplomuar si student i shkëlqyer. E trishtueshme, në ’92 deputetët mbrojtën kolegët e tyre sot në 2019 deputetët socialistë ndihen të frikur. A janë këto simptoma të neodiktaturave? Studiuesit paralajmërojnë për një rrisk në rritje të kthimit të neodiktaturave në vendet ish-komuniste. Në vitin 1997 Berisha i propozoi shkarkimin tim Finos, i cili e injoroi atë. FMN dhe Banka Botërore më dhanë mbështetje maksimale, propozimi i Berishës ra. Ideimi dhe implementimi i reformave strukturore, marrëveshja post konfliktuale brenda 6 muajve, konferenca e donatorëve me 600 mln dollarë e detyruan shefin e FMN-së të më falënderonte duke theksuar ‘ne besojmë se ju i keni bërë një shërbim të madh Shqipërisë’. Po, i kam bërë një shërbim të madh Shqipërisë.
Ky është vlerësimi, kjo është pasuria që do i lë familjes e vendit tim. Kjo është hera e tretë, argumentet e plota profesionale i dhashë në komisionin e ekonomisë por përsëri përballë opinionit publik të vendit tim përsëris me zë të lartë dhe të qartë për të gjithë shqiptarët kam kryer më së miri detyrën si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë pa cenuar në asnjë rast sado pak detyrimet etike dhe ligjore. Kam mbështetur politikën monetare dhe lehtësuese për rritjen ekonomike. Kam kërkuar disa herë drafte në ligjin për Bankën e Shqipërisë për të forcuar kolonat e saj strukturore. BE në vitin 2019 e vlerëson këtë detyrë të paplotësuar. Kam kërkuar të mos vonohet ligji për mbrojtjen e konsumatorëve nga shërbimet financiare sepse sipas studimeve dhe në kohë krize të pasurit bëhen më të pasur dhe të varfrit bëhen më të varfër dhe ata duhen mbrojtur me ligj dhe me institucione kredibile.
Këtu kam parasysh edhe thënien e ish-sekretarit amerikan Samers, i cili paralajmëron se ‘kur bizneset bëhen të pasura ato imponojnë politika publike që i bëjnë ato më të pasura’. Këtu është rreziku i kapjes së shtetit. Kam kërkuar në bord që të demokratizohet qeverisja e Bankës së Shqipërisë. Ajo është një ent publik, paguhet nga taksapaguesit shqiptarë dhe duhet të zbatojë parimet më të mira të qeverisjes. Bankat qendrore dhe bankat tregtare nuk janë më skuta të errëta. Kam kërkuar të zgjidhen dhe të promovohen sa më mirë stafet dhe drejtuesit e BSH. Kam kërkuar që kërkimi shkencor i BSH të fokusohet më mirë në sfidat reale të ekonomisë shqiptare bazuar kjo edhe në modelin e obeliskëve të vitit 2019. Kam votuar pro apo kundër vetëm me vetëdijen time thellësisht profesionale. Bankat private kanë interesa private dhe thelbi i tyre është fitimi. Anëtarët e Bordit kanë përgjegjësi të lartë publike që ju ia keni dhënë kur i mandatoni. Në komision ndjeva trishtim për votimin në rresht të deputetëve. I mirëkuptova sepse zoti Rama është bërë i frikshëm. Është bërë i frikshëm jo vetëm për deputetët por edhe familjet e tyre dhe fatkeqësisht edhe për popullin shqiptar. Ndiej trishtim për vendim tim që shkarkimin që nuk e arriti dot PD në 1992 dhe as në ’97 do ta bëjë sot kryetari i Rilindjes. Hakmarrjet primitive nuk më trembin por më vret në shpirt trendi jo pozitiv që kanë marrë zhvillimet politike në vendin tonë. Ky ballafaqim publik nuk është për një karrige. Kurrë nuk e kam shitur dinjitetin, integritetin dhe profesionalizmin tim tek askush, përfshirë dhe oligarkët që iu afrohen të gjithë ministrave. Por ndoshta e kanë arritur me ministrat tuaj, disa prej të cilëve janë manekinë të tyre. Ndryshe nga Rama për pushtet, i cili kriminalizoi politikën shqiptare dhe i vuri një njollë të zezë socialistëve të thjeshtë e të ndershëm, kurrë nuk e kam shitur dinjitetin për poste partiake apo qeverisëse. Në vitin 1997 nuk pranova të isha kandidat i PS për kryeministër të qeverisë së pajtimit kombëtar sepse përplasjet e mia institucionale me Berishën do të dëmtonin vendin tim dhe në veçanti qytetin tim që edhe sot lëngon nga plagët e rënda të krizës së ’97, i cili shkoi deri në një konflikt civil. Ju më kërkoni modelin e heshtjes së Bodes por heshtja dhe mosveprimi ligjor i Bodes për skemat piramidale la pas mijëra viktima e fatkeqësi që edhe sot iu rëndojnë shumë rëndë shqiptarëve”./Tpz

OPINIONE