Arlind Qori: Refugjatët këtu, duhet kundërshtuar me protesta masive!

Drejtuesi i “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori, deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” se marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për kampin e refugjatëve, duhet kundërshtuar me protesta dinjitoze dhe masive. Por ai shprehu frikën e tij se me këtë marrëveshje, BE do të afrojë Shqipërinë në procesin e integrimit, jo për merita dhe për qeverisje demokratike dhe rendin ligjor, por sepse u kemi zgjidhur punët e “pista” që ata nuk duan t’i zgjidhin vetë, siç është strehimi i refugjatëve.

“Kjo marrëveshje duhet kundërshtuar, edhe me protesta dhe protestat duhet të jenë dinjitoze dhe masive, se frika ime është se një protestë me 50-100 vetë është kundërproduktive.

E dyta duhet dalë jo duke e nxjerrë Edi Ramën si përparimtar dhe popullin shqiptar si racist. Duhet dalë me qëndrimin dhe argumentet e duhura.

Dua ta them dhe diçka tjetër që ka të bëjë me integrimin në BE dhe dua ta lidh me këtë të CEZ-DIA. Në vitin 2009, Sali Berisha dorëzoi në Pragë aplikimin e Shqipërisë për në BE dhe kjo lidhet me privatizimin e OSHE dhe Komisioni Evropian e ka futur në axhendë këtë kërkesë të Shqipërisë në një kohë shumë më të shkurtër nga zakonisht, pra nuk e ka lënë në sirtar si herë tjetër.

Frika ime është kjo se duke i bërë z. Rama këtë favor Italisë, përveç favoreve personale që merr në këmbim, Italia dhe BE do të mbyllë njërin sy për problemet e Shqipërisë. Pra do të na thotë: S’ka problem që këtu vidhet, s’ka problem që këtu s’bëhen zgjedhje etj., mjafton që ju të merrni refugjatët. Dhe kësisoj Shqipëria do të avancojë në procesin e integrimit pa e merituar dhe në kurrizin tonë. Pra çështja është që të hyjmë në BE si një vend që e meritojmë, me demokraci dhe rend ligjor, jo të na fusin nga dritarja se u kemi zgjidhur këto punët e pista që ata nuk duan t’i zgjidhin vetë.

Pra frika ime është që z. Rama do t’ia bëjnë mbarë se pse qeveris mirë, që organizon shtetin e të drejtës, jo sepse bën zgjedhje të lira dhe të ndershme, por sepse sot Italisë, nesër një vendi tjetër do t’i bëjë favore të kësaj natyre”-u shpreh Arlind Qori./TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne