ARNAUTËT

Shkruan: Nexhat Ibrahimi

Arnautë janë shqiptarët në fjalorin turk dhe në fjalorin e disa popujve të tjerë. Mendimi dominues është se kjo fjalë e ka prejardhjen nga fjala alb-an > arbër. Tokat shqi­p­tare, sipas regjistrimit të parë osman, janë quajtur Arv­anid, Arvanid Sancagi.

Nga njëzet e shtatë kombet që jetonin në Perandorinë Osmane, në krye të tyre dhe me statusin më të lartë, madje qëndronin mbi turqit e të tjerët, ishin shqiptarët. Ata quheshin kombi “nexhip”, që do të thotë kombi “fisnik”. Këtë vend e këtë status e kanë dhe e ruajnë edhe sot shqiptarët e Turqisë. Shqiptarët i gjen kudo në tërë poret e jetës turke, sidomos në poste drejtuese e komanduese, si në aparatin shtetëror, në ushtri, në polici, në ekonomi, industri e tregti, në arsim dhe kulturë dhe ata gëzojnë respektin e mbarë popullsisë. Të përmendësh emrin shqiptar në Turqi, si dje dhe sot, është sikur të përmendësh një emër të shquar, të nderuar, me reputacionin më të mirë që mund të bëhet. Në tërë shtresat e popullsisë, pavarësisht nga niveli shoqëror apo raca dhe në gjithë popullsinë e Republikës Turke, s’ka rëndësi përbërja etnike e saj, të thuash “arnaut” domethënë të kujtosh një emër me peshë të madhe njerëzore që gëzon një respekt jo të zakonshëm. Nuk duam të zgjatemi në këtë pikë se do të shkonte gjatë ky shkrim.

Kemi edhe një version mbi etimologjinë e termit “arnavut”, sipas të cilit kjo fjalë vjen nga arabishtja: Arun En-Neud, që do të thotë “turp të kthehemi mbrapa”. Osmanlinjtë, në luftë me persët, batalionet e skalionit të parë i zgjidhnin jeniçerë trima, që edhe pse shihnin vdekjen, mësynin përpara. Shqiptarët zinin radhët e para dhe për këtë arsye shqiptarët u quajtën “arnavut” dhe Shqipëria, Arnavutlluk. Pra, fjala “arnaut” nuk është diçka ofenduese siç pretendohet nga disa qarqe. Mendojmë se ky nuk është shpjegim i drejtë.

Emri albanë dhe arvanitë në fillim nuk kishte vështrim etnik, por ishte emri i krahinës Arbëni/Arbëri (Arbanon), që shtrihej në Shqipërinë e Mesme me qendër Krujën. Pas shek. XI filloi përhapja e apelativit Arbëni, Arbëri, Albani edhe në viset e tjera ku banonin shqiptarët. Faktori që përcaktoi shtrirjen e emrit ishte po ai që përcaktoi shfaqjen e tij në shekullin XI – në fillim bashkësia politike dhe fetare dhe më vonë bashkësia politike dhe gjuhësore. Ishte njësoj si emrat e krahinave të tjera të vendit Polati (Pulti), Kunavia (Martaneshi), Crnika (Çermenika), Trafandena (Mirdita), Matia, Dibra, Skuria, Tamadea, Benda, Mokra, Skrapari, Malakas, Mazarek etj. Sipas historianëve emri shqiptar është rezultat i tolerancës fetare mes dy riteve fetare kristiane, ortodokse dhe katolike, emërtim i përbashkët mes albanit dhe epirot, apo makedon e epirot. Megjithatë, emërtimi albanit, arbanas fitoi shtrirje më të mëdha për shkaqe politike dhe animit apo sistemimit politik të forcave të asaj kohe. Ardhja e Islamit nëpërmjet Perandorisë Osmane nuk imponoi ndonjë emërtim, por vetëm sanksionoi gjendjen ekzistuese të përdorimit të këtyre emrave dhe është shqiptimi turk i fjalës alban, arban, Albania, Arbëria në Arnaut, Arnautllëk e të tjera, e jo ndonjë emërtim shëmtues e nënçmues. Në fund të fundit, kjo i ruajti shqiptarët nëpër botë edhe dy shekujt e fundit në Turqi, Siri, Egjipt etj./ zeriislam

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne