Arresti i Tahirit, Uashingtoni i gëzohet “paketë”: fut dhe Met Kananin e Arbër Çekajn

Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar ndaj vendimit për ta vënë ish-ministrin e Rendit Saimir Tahiri nën “arrest shtëpie”, si dhe ndaj arrestimit të 14 personave si kontigjente të bandës së Met Kananit, supertrafikantit shqiptar të drogës, arrestuar javë më parë në Turqi, e po ashtu të Arbër Çekajt pak ditë më parë në Gjermani, si poseduesi i kokainës së Maminasit.

Ngaqë të trija zhvillimet janë afër njëra-tjetrës në sensin kohor, e që po ashtu i bashkon dhe elementi “drogë”, përfaqsia diplomatike e Uashingtonit në Tiranë i ka konsideruar si “paketë” në vlerësimin e saj.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret përparimin e bërë nga Shqipëria në luftën e saj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Vendimi i gjykatës për të vendosur Saimir Tahirin në arrest shtëpie është një shenjë se kjo çështje e rëndësishme korrupsioni do të vendoset në mënyrë të drejtë dhe transparente në gjykata. Arrestimi i Met Kananit në Turqi dhe 14 anëtarëve të bandës së tij kriminale në Shqipëri është shenjë e seriozitetit të policisë dhe prokurorëve për të vënë në shënjestër krimin e organizuar. Së fundi, arrestimi i trafikantit të dyshuar të kokainës Arbër Çekaj në Gjermani dhe kërkesa për ekstradimin e tij në Shqipëri është shenjë se pandëshkueshmëria ka marrë fund për bosët e krimit në këtë vend.

Përgëzojmë punën e vështirë dhe me kurajë të Policisë së Shtetit, Prokurorëve të Krimeve te Rënda dhe Gjyqtarëve të Krimeve të Rënda”, thuhet në reagimin amerikan.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne