Bota

Arrestohen militantët e ISIS-it para një sulmi kimik në Irak

Një grup militantësh të ISIS-it janë arrestuar pak para se të ishin në gjendje të kryenin një sulm me armë kimike kundër forcave të ushtrisë irakene në Mosulin perëndimor.

Sipas Al-Sumariyah News, një burim i inteligjencës tha të dielën se qeliza terroriste u arrestua ndërsa forcat e qeverisë irakiene patrullonin në qarkun al-Sihha në Mosulin perëndimor në provincën e Ninivës.

Burimi shtoi se grupi u gjet të posedonte sasi substancash toksike.

Që kur qeveria filloi një operacion për të rimarrë Mosulin nga grupi terrorist, ISIS ka përdorur armë kimike disa herë kundër forcave irakiene dhe civilëve në qytet.

Në janar, Ministria irakiene e Mbrojtjes njoftoi se ISIS ka humbur mbi 50 përqind të militantëve të tij në qytetin e Mosulit në provincën e Ninivës, pasi trupat irakiene kanë arritur të rimarrin pjesën lindore të qytetit strategjik.

“Inteligjenca e fituar nga ne tregon se në Mosul kanë qenë mbi 6,000 terroristë të ISIS dhe rreth 3,400 prej tyre janë vrarë në betejat me forcat e përbashkëta ushtarake të Irakut në qytetin kryesor të provincës së Ninivës”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes irakiene, Laith al-Naimi.

Ai tha gjithashtu se në Mosul janë shkatërruar mbi 250 automjete me bomba dhe të gjitha punëtoritë e bombave të grupit terrorist. / © Gazeta Impakt

Etiketa

OPINIONE

INTERVISTA