Artdashësit e Maqedonisë do të takohen me filmat turq

Koordinatori i Përgjithshëm i Artit pranë “Javës së Filmave Turq – Shkup”, Öner Kılıç, tha se filmat e kinematografisë turke në përgjithësi sillen në tregun e brendshëm dhe se përmes aktiviteteve që do të organizohen në shumë shtete me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, filmat turq duhen promovuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, mes datave 19 dhe 23 prill do të organizohet “Java e Filmave Turq – Shkup”.

Në javën e organizuar nga Ministria Turke e Kulturës dhe Turizmit dhe në të cilën do të kontribuojnë edhe Shoqata e Mendimit Vendas dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), do të realizohen shfaqje të filmave nga kinematografia turke dhe takime mes shikuesve dhe regjisorëve dhe aktorëve.

Java organizohet nën patronazhin e kryekëshilltarit presidencial të Turqisë Yalçın Topçu, ndërsa thuhet se në të do të marrin pjesë regjisorë dhe aktorë të ndryshëm.

Duke folur për AA, Kılıç theksoi se projekti ka filluar para dy viteve, kurse synojnë promovimin e kinematografisë turke në një hapësirë që përfshin Ballkanin, Azinë Qendrore dhe Lindjen e Mesme.

Ai tha se filmat e kinematografisë turke në përgjithësi sillen në tregun e brendshëm dhe se përmes aktiviteteve që do të organizohen në shumë shtete me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, filmat turq duhet promovuar.

Duke theksuar se me Javën e Filmave Turq nuk synojnë vetëm shfaqjen e filmave për popullatën e rajonit, Kılıç theksoi: “Gjithsesi, ata i shohin në njëfarë mënyre filmat e kësaj kinematografie në televizion. Ne duam të sigurojmë ndërveprim kulturor. Regjisorët që vijnë nga Turqia, aktorët, skenaristët, të takohen me kinematografët në vendin ku bëjmë aktivitetin. Të prodhohen projekte të përbashkëta mbi tema të përbashkëta. Në këtë rajon, veçanërisht në Shkup, ka njerëz me të cilët kemi jetuar së bashku 600 vite. Ka njerëz me të cilët realizojmë ndërveprimin e njëjtë kulturor. Ne këtu i përjetuam me vite së bashku gëzimet, dhimbjet dhe fatin tonë.”

“Shkupi ka vend të posaçëm në Ballkan për botën turke”

Kılıç më tej vuri në pah se kinematografia bazohet mbi rrëfime dhe se Turqia ka rrëfime të shumta në rajon. “Një pjesë e Turqisë është Anadolli, por edhe këtu ekziston Turqia. Domethënë, Turqia nuk është politikisht në këtë rajon, por është në aspektin kulturor nga e kaluara. Nuk do të thotë domosdoshmërisht vetëm turqit, ne kemi pasur ndërveprim edhe me shqiptarët dhe maqedonasit.

Pse atëherë të mos bëjmë promovim të kinematografisë në këtë rajon? Pse të mos bëjmë filma të përbashkët me njerëzit e këtij rajoni?” tha Kılıç, duke shtuar se qëllimi themelor i Javës së Filmave Turq është të prodhojnë projekte të përbashkëta filmike dhe të gjejnë tregime të përbashkëta.

Duke folur për arsyen e përzgjedhjes së Shkupit për organizimin e javës së filmit, ai u shpreh se Shkupi ka vend të posaçëm në Ballkan për botën turke.

Kılıç tha se Shkupi është një nga vendet kryesore të kulturës osmane, me bukurinë, kulturën dhe letërsinë si atë të Stambollit. “Natyrisht, Maqedonia ka edhe një rëndësi tjetër. Që kur filloi historia e kinematografisë botërore, kishte një rrjedhë. Vëllezërit francezë Lumiere dhe vëllezërit maqedonas Makanki. Por, vëllezërit Manaki atëherë nuk ishin maqedonas, por qytetarë osmanë. Kinematografia osmane filloi në këto troje. Megjithëse ishin nga Maqedonia, ata ishin qytetarë osmanë. Madje, kur vëllezërit Lumiere kërkuan leje për xhirim filmi në trojet osmane, leja nuk u dha atyre, por vëllezërve Manaki”, vlerësoi Kılıç.

Siç tha Kılıç, meqenëse themelet e kinematografisë osmane janë hedhur në këtë rajon, kinematografëve të rajonit duhet paguar borxhin e lojalitetit. “Po organizojmë një festival të këtillë për ta paguar këtë borxh. Ka kinematografë, regjisorë dhe aktorë të talentuar në Maqedoni. Nëse këto i bashkojmë me përvojën e Turqisë, atëherë këtu mund të xhirohen filma dhe seriale të përbashkëta”, shtoi ai.

Përmes punëtorisë, filmdashësve u ofrohen orë mbi kinemanë

Kılıç tregoi se krahas që kryen detyrën e koordinimit të festivalit, ai është edhe regjisor, duke shtuar se gjendet edhe një punëtori në të cilën ofrohen orë mbi kinemanë.

Duke u shprehur se do të formojnë punëtori kinematografike me pjesëmarrjen e të rinjve nga shtetet e Ballkanit dhe Turqia, ai tha se përveç orëve në rajon mbi kinemanë, do të mundësojnë edhe pjesëmarrjen e të rinjve në trajnime në Turqi. Kılıç tha më tej se një nga vizionet e Turqisë janë rrëfimet që dëshiron t’i rrëfejë. Ai shtoi se “Këto rrëfime, miqtë tanë në Maqedoni, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Azerbajxhan, Kazakistan dhe Jordani le t’i bëjnë filma duke u takuar përmes kësaj kulture tonë të përbashkët islame”.

Duke rikujtuar shprehjen e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, i cili thotë se “Bota është më e madhe se pesë”, Kılıç tërhoqi vëmendjen se kjo shprehje mund të shpjegohet jo vetëm përmes sloganeve, por edhe përmes shtypit, që sipas tij është mjeti më i mirë i pranuar, dhe përmes kinemasë, e cila, siç thotë ai, është e përhershme.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne