“Ata që kërcënohen me sanksione, heshtën për Mosulin, Rakkan, Deirizorin”

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin, kritikoi qarqet që kanë kërkuar ndaljen operacionit antiterrorist “Burimi i Paqes” në veri të Sirisë dhe e kanë kërcënuar Turqinë me sanksione, duke thënë se të njëjtit heshtën në kohën kur mijëra civilë u vranë në Mosul, Rakka dhe Deirizor.

“Ata që nuk nxorën zë kur Mosuli, Rakka dhe Deirizori bëheshin rrafsh me tokën dhe mijëra civilë u vranë, tani në panik bëjnë thirrje për ndaljen e operacionit ‘Burimi i Paqes’ dhe e kërcënojnë Turqinë me sanksione”, ka shkruar Kalın në Twitter.

“Nuk do të ndalemi derisa të arrijmë qëllimet tona”, është shprehur ai.

Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eleminuar elementet terroriste dhe për të garantuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.

Ankaraja synon ta pastrojë rajonin në lindje të lumit Eufrat nga terroristët e PKK-së dhe dega e saj siriane, PYD/YPG.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian, është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40.000 njerëzve, përfshirë shumë gra dhe fëmijë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne