Athinë, bombë në dyert e kishës

Athina u trondit mëngjesin e kësaj të enjteje nga një shpërthim i fuqishëm.

Ngjarja u regjistrua në orën 7:10 në lagjen Kolonaki në zemër të Athinës. Burime të policisë greke bëjnë me dije se bëhet fjalë për një sulm terrorist.

Nga hetimet e para rezulton se bëhet fjalë për një bombë artizanale. Ajo ishte futur në një kuti metalike dhe ishte vendosur pranë portës së kishës së Shën Dionisit. Pakoja e dyshimtë u konstatua nga një punonjës i kishës, i cili njoftoi menjëherë policinë. Por ndërsa forcat e rendit mbërritën në vendngjarje për të kryer kontrollin, lënda plasëse shpërtheu duke i shkaktuar plagë në fytyrë dhe trup një punonjësi të forcave xheniere.

Lëndime të lehta mori gjithashtu edhe punonjësi i kishës.

Këtë here bomba në Athinë u vendos pa lajmëruar më parë policinë dhe sipas burimeve të mediave në vendin fqinj, qëllimi ka qenë për të shkaktuar viktima.

Policia ka bllokuar zonën ku ndodhi ngjarja dhe po heton për zbardhjen e plotë të rastit, por nuk ka ende të dyshuar.

Kohët e fundit në kryeqytetin grek janë vendosur disa bomba nga organizata terroriste, fatmirësisht pa shënuar viktima.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne