Shqiperia

Fatos Lubonja: Ju tregoj qëllimin e Lulzim Bashës dhe pse nuk i promovoi zërat e çadrës

A ka krizë brenda Partisë Demokratike pas publikimit të listave të deputetëve për zgjedhjet e 25 qershorit? Zërat kritikë dhe kërkesa për shkarkimin e Bashës e bërë publike nga Jozefina Topalli dhe Arben Imami, që Basha të shkarkohet tregojnë se diçka po zien brenda asaj force.

Por çfarë mendojnë analistët për emrat në listat e PD-së të zgjedhura nga Lulzim Basha? Të ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” të gazetarit Ylli Rakipi në News 24, ishin analistët Fatos Lubonja, Andi Bushati, kryeredaktori i gazetës “Panorama, Robert Rakipllari dhe ish-ministri demokrat, Besnik Mystafaj dhanë mendimet e tyre.

Sipas Lubonjës, Basha zgjodhi këta emra që të promovonte veten dhe penalizoui figurat që i dhanë mbështetje në çadër.

“Lista ishte një provë për Bashën, në kuptimin për të sjellë premtimin e atij ndryshimi të madh që bëri në çadër. Pati një moment zhgënjimi për formën si u mbyll çadra dhe kërkohej rinovim tek lista. Është një lloj mëkati të flasësh për njerëz që nuk i njeh, por do kisha dashur të futeshin njerëzit që dhanë kontribut në çadër. Nëse ke ndërmend të bësh një listë dhe të ftosh personalitete të reja, jo emra që kanë qenë deputetë, ndqërkaq lëvizja e çadrës duhet të kishte evidentuar figura që të ngjallnin shpresën. Mendoj që Basha kishte për qëllim të konsolidonte figurën e tij se sa lëvizjen në çadër. Lista nuk ishte shumë e lidhur me atë çfarë pamë atje, është e paplotë”,- tha Lubonja.