Basha, pas teatrit kontratë edhe me unazën e re: “Ndjekje penale pë ata që abuzuan”

“Rishikim i projektit dhe dëmshpërblimin sipas çmimit të tregut”. Këto janë angazhimet që ka marrë Partia Demokratike e cila firmosi me banorët e Unazës së Re një kontratë, ku shprehet mbështetja e opozitës për protestën në mbrojtje të shtëpive të tyre.

“Brenda 2 muajve nga momenti kur Partia Demokratike e Shqipërisë dhe opozita e bashkuar do të jetë shumicë politike qeverisëse, do të rishikojë projektin e zgjerimit të Unazës së Re dhe devijimit të Lumit Lana, si dhe, në përputhje me interesin publik, do të ndërmarrë çdo masë që është e nevojshme për të siguruar zhvillimin e zonës sipas interesit të komunitetit dhe dëmshpërblimin, sipas çmimit të tregut, të çdo prone private që preket nga projekti i rishikuar” – thuhet në kontratën e firmosur nga kreu i opozitës Lulzim Basha dhe banorët e Unazës së re dhe Lumit të Lanës në pjesën ku ai do të devijohet.

Për ta konsideruar si pronë që dëmshpërblehet me çmimin e tregut, PD angazhohet që në momentin kur do të jetë në qeveri, do t’i vlerësojë banesat e ndërtuara në zonën e Unazës së Re sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në kontratë thuhet se ndërtesat do të legalizohen brenda 6 muajve nga momenti i ardhjes në pushtet dhe pezullim për legalizimin të pronave që preken nga projektet publike, duke i dëmshpërblyer me vlerën e tregut.

Ndërsa pika tjetër, që është edhe pika e gjashtë dhe e fundit e kontratës, ka të bëjë me angazhimin e PD për të ndëshkuar çdo akt korruptiv me Unazën e Re. “Në momentin kur Partia Demokratike e Shqipërisë dhe opozita e bashkuar do të jetë shumicë politike qeverisëse, do të ndërmarrë të gjitha masat e duhura ligjore për të garantuar vënien përpara përgjegjësisë penale dhe administrative të të gjithë vendimmarrësve publikë dhe subjekteve private për përfshirjen në aferën e prishjes së banesave të qytetarëve në Unazën e Re, pa u garantuar atyre një shpërblim të drejtë dhe në vlerën e tregut për pronat e tyre private, duke u ngarkuar atyre edhe detyrimin për kompensimin e çdo dëmi të shkaktuar.”- thuhet në kontratën mes PD dhe Grupimit të banorëve të Unazës së Re, ku bëjnë pjesë edhe banorë të prekur nga devijimi i Lumit të Lanës./lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne