BE: Autoritetet të mbështesin të drejtën për lirinë e tubimit paqësor

Autoritetet shqiptare duhet të tregojnë përmbajtje në menaxhimin policor të demonstratave dhe të sigurojnë hetime të hollësishme, të pavarura dhe efektive për të gjitha pretendimet për përdorim të tepruar të forcës,” tha Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatović, në një deklaratë sot, duke shprehur shqetësim për përshkallëzimin e përplasjeve midis policisë dhe protestuesve pas gjuajtjes fatale me armë të një të riu nga policia javën e kaluar gjatë orarit të ndalim-qarkullimit të natës në vend. “Përdorim joproporcional i forcës është raportuar gjithashtu edhe në lidhje me demonstratat e tjera që u zhvilluan në Shqipëri në fillim të këtij viti,” shton ajo.

Përgjigja ndaj pandemisë COVID-19 nuk u jep autoriteteve të drejta pa limit për të përdorur forcë gjatë menaxhimin policor të demonstratave,” thotë Komisionerja. Në këtë kontekst, ajo vë në dukje përdorimin e ujit, spërkatësve me piper dhe mjeteve të tjera të forcës që kanë çuar në plagosjen e disa protestuesve dhe ndalime në shkallë të gjerë, përfshirë fëmijë. “Ndërsa e drejta për grumbullim paqësor mund të kufizohet për të mbrojtur shëndetin publik, autoritetet duhet të mbështesin parimet e domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit në të gjitha rrethanat. Prandaj, duhet të shmanget ndalimi i përgjithësuar i grumbullimeve publike dhe shpërndarja e demonstratave për të vetmen arsye se ato shkelin rregullat e karantinimit, pa marrë në konsideratë masa më pak kufizuese. Policia duhet gjithashtu të bëjë dallimin midis individëve të përfshirë në dhunë dhe atyre që demonstrojnë në mënyrë paqësore dhe të përmbahet nga përdorimi i rëndë ose pa kriter i forcës. Për më tepër, çdo ndalim i fëmijëve duhet të kryhet vetëm si një masë e fundit dhe duhet të respektojë plotësisht të drejtat e tyre procedurale, duke përfshirë të drejtën për t’u pyetur vetëm në prani të një avokati ose njërit prej prindërve ose kujdestarëve të tyre.”

Komisionerja thekson sërisht se menaxhimi policor i demonstratave duhet të bazohet në komunikim dhe bashkëpunim me organizatorët dhe pjesëmarrësit në demonstrata dhe duhet të synojë në uljen e tensioneve. “Është thelbësore të sigurohet që oficerët e policisë që veprojnë në kuadër të demonstratave të marrin trajnim të specializuar në menaxhimin e negociuar të grumbullimeve dhe përdorimin proporcional të forcës.”

Autoritetet duhet në çdo kohë të tregojnë tolerancë zero ndaj zyrtarëve të zbatimit të ligjit të përfshirë në përdorimin e tepruar të forcës, të cilët duhet të identifikohen, të sillen para drejtësisë dhe të dënohen në përputhje me praktikën gjyqësore përkatëse të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Udhëzimet për Çrrënjosjen e Mosndëshkimit për Shkeljet Serioze të të Drejtave të Njeriut, miratuar nga Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës në 2011. Mbajtja e etiketave të dukshme të identifikimit ndihmon në sigurimin e llogaridhënies. Për më tepër, personat që pretendojnë të kenë qenë viktima të sjelljes së keqe nga ana e policisë duhet të jenë në gjendje të paraqesin një ankesë për të marrë dëmshpërblim.

Duke vënë në dukje se shumica e personave të ndaluar janë liruar, Komisionerja u bën thirrje autoriteteve të shpejtojnë lirimin e çdo protestuesi paqësor të mbetur që mund të jetë akoma në paraburgim.

Së fundmi, Komisionerja është e shqetësuar për ndalimin dhe sulmet e pretenduara ndaj disa gazetarëve që mbulojnë demonstratat. “Sulmet ndaj gazetarëve përbëjnë një shkelje serioze të lirisë së shtypit dhe të së drejtës për tu informuar. Autoritetet duhet të sigurojnë që gazetarët të mund të vazhdojnë të informojnë qytetarët pa frikë nga kërcënimet ose aktet e dhunës”.

 

Coe.int

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne