Rajoni

BE me rreth 100 vëzhgues për zgjedhjet parlamentare në Kosovë

Me ftesë nga presidenti i Kosovës, Bashkimi Evropian ka dërguar një mision për të vëzhguar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, i cili do ta vlerësojë se sa përputhen zgjedhjet me ligjet e Kosovës si dhe me standardet ndërkombëtare për zgjedhje.

Kryevëzhguesja e BE-së për zgjedhjet e 6 tetorit, Viola Von Cramon Taubadel, në një konferencë për media të premten në Prishtinë tha se vëzhgimi do të jetë me standarde ndërkombëtare, ndërsa misioni i tyre është i përbërë nga një ekip prej nëntë ekspertësh të zgjedhjeve në Prishtinë.

Gjithashtu, Cramon Taubadel tha se do të ketë edhe analistë financash, si dhe 18 vëzhgues me përvojë që do të mbulojnë 38 komuna të Kosovës.

“Në ditën e zgjedhjeve misioni ynë do të vlerësojë fushatën zgjedhore, çështjet e financave, përgatitjen zgjedhore, kornizën ligjore dhe rolin e shoqërisë civile. Ne gjithashtu do të vlerësojmë raportimin e mediave, duke monitoruar tetë kanale televizive dhe tri faqe të internetit”, tha Cramon Taubadel, e cila shtoi se në gjithë procesin vëzhgues do të përfshihen rreth 100 vëzhgues nga BE.

Siç tha ajo forcimi i procesit zgjedhor nuk është asnjëherë një punë e lehtë ngase disa rekomandime (të BE-së për Kosovën), përfshijnë amendamente kushtetuese, disa të tjera ndryshime legjislative derisa të tjera janë më lehtë të implementueshme.

“Misioni jonë për zgjedhjet e vitit 2017, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare ka ofruar 26 rekomandime. Shumë nga to nuk janë implementuar. Në fakt, asnjë nga rekomandimet që përfshijnë ndryshime ligjore nuk janë adoptuar”, tha Cramon Taubadel.

Megjithëkëtë, kryesuesja e vëzhgimit të BE-së për këto zgjedhje tha se është herët për të bërë një konkluzion për të gjitha rekomandimet, sepse disa nga to kanë të bëjnë me procese si edukimi i votuesve, trajnimi i stafit përgjegjës në vendvotime etj.

Ky është misioni i pestë i vëzhgimit të zgjedhjeve nga BE në Kosovë që nga viti 2013. Misioni do të publikojë një deklaratë paraprake pas ditës së zgjedhjeve dhe do të qëndrojë në Kosovë për të vëzhguar procesin e rezultateve deri në përfundim të tyre. Një raport final që do t’i përfshijë rekomandimet për zgjedhjet e ardhshme do të prezantohet përafërsisht dy deri tre muaj më vonë nga ta./AA

OPINIONE