Berisha, zero komunikim me Bashën, bojkoton kryesinë e PD. I prerë kundër dialogut me Ramën kryeministër

Sali Berisha nuk ka asnjë komunikim me kreun zyrtar të PD Lulzim Basha, pas dyshimeve se njeriu që ka vënë vetë në krye të partisë po “flirton” me SHBA-BE dhe me Edi Ramën.

Ish kryeministri demokrat nuk ka marrë pjesë në asnjë nga mbledhjet e kryesisë së PD bashkë dhe me ish deputetët e thirrur nga Basha për të diskutuar paketën anti-krizë apo pjesëmarrjen në komisionin e Reformës Zgjedhore, në nivel ekspertësh.

Berisha është njeriu që i përmbahet me rigorozitet strategjisë së një opozitarizmi radikal, dhe e sheh largimin e Ramës nga pushteti vetëm përmes përmbysjes me dhunë, madje duke derdhur dhe gjak për këtë qëllim.

Ish-kreu i PD dhe ish-kryeminstër i vendit ka pas vetes shumë mbështetës, kryesisht nga linja radikale e partisë, grupim i cili është vënë dhe në qendër të goditjes së partnerëve tanë ndërkombëtarë, duke tentuar izolimin e tyre si “strumbullari” i prodhimit të tensionit.

Mësohet se Berisha të jetë shprehur në rrethet e ngushta të PD, që i shërbejnë me devotshmëri, se sa kohë që do të ndiqet një politikë e butë dhe pro marrëveshjes me Ramën kryeministër, ai dhe pasuesit e tij nuk do të marrin pjesë në asnjë takim apo mbledhje forumi të PD.

Ka disa javë që komunikimi i Berishës me Bashën është zero, dhe lëvizjet e kreut demokrat po dominohen nga dyzimi dhe mungesa e njëtrajtshmërisë, pasi qëndrimin e ish-kryeministrit po mundohet ta lexojë vetëm mes rreshtave, në statuset që hedh në rrjetet sociale dhe deklarimet publike që ai bën.

Ish-kryeministri i frikësohet një pakti të momentit të fundit të Bashës me Ramën për arritjen e ndonjë pazari mes tyre, shqetësim të cilin e ka shprehur herë pas here teksa ka deklaruar se nuk do te këtë kurrë një marrëveshje me Ramën, pasi PD e provoi më 2017 dhe humbi prej saj.

Mësohet se Berisha nuk ka qënë dakord as me qëndrimet e Bashës në takimet me përfaqësues të ambasadave të vendeve të fuqishme në Tiranë, duke u shprehur se ata janë thjeshtë rrogtarë që i shërbejnë interesit të tyre.

Ish-kreu demokrat po përpiqet që të krijojë shumicë në forumet dhe strukturat e PD për t’ju kundërvënë Bashës dhe pse jo për të tentuar që ta zëvendësojë në krye të PD.

Duke qënë se ka qënë personi kryesor që ka vendosur largimin e figurave kryesore të PD, deri më tani ende nuk ka një figurë që mund të marrë përsipër drejtimin e kësaj partie, nëse arrin të zhvendosë Bashën nga posti.

Kreu i PD, duke parë këtë tentativë të Berishës, ka menduar t’i dalë të keqes para, duke deklaruar hapjen e dyerve për rikthimin e të përjashtuarve, çka e ka vënë ish-kryeministrin demokrat në pozita frenuese, në pritje të qëndrimit publik të të larguarve.

Një situatë e tillë ka krijuar çoroditje në kupolën e PD, të mësuar të marrin urdhëra nga Berisha, të cilat ratifikoheshin me qëndrim politik në mënyrë zyrtare nga ana e kreut të PD Basha./Pamfleti/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne