Biden: Siguria e palestinezëve të pafajshëm, ende çështja e një shqetësimi të madh

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha se do të vazhdojnë mbështetjen tyre të fortë për Izraelin por që Izraeli duhet të jetë më i ndjeshëm në mbrojtjen e jetëve të civilëve në sulmet izraelite në Gaza. Biden i bëri këto vlerësime në konferencën e përbashkët për media me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy në Shtëpinë e Bardhë.

Duke iu referuar bisedës telefonike që zhvilloi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, presidenti Biden theksoi se mbështetja për këtë vend do të vazhdojë e njëjtë dhe se nuk i kanë harruar ato që ndodhën në sulmet e Hamasit më 7 tetor. Lidhur me civilët e vrarë në sulmet izraelite që vazhdojnë në Gaza, Biden tha: “Siguria e palestinezëve të pafajshëm (në Gaza) mbetet ende çështja e një shqetësimi të madh. Prandaj, hapat që ata (izraelitët) ndërmarrin duhet të jenë të qëndrueshme për të bërë çdo gjë për të parandaluar dëmtimin ose vrasjen e civilëve të pafajshëm palestinezë”.

Biden deklaroi se ata kanë përgjegjësi për të parandaluar viktimat civile në rajon dhe për të lehtësuar hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza dhe se për këtë janë në kontakt të vazhdueshëm edhe me izraelitët edhe me aleatët arabë.

Sullivan dhe Austin do të vizitojnë rajonin

Ndër të tjera Biden njoftoi se këtë javë, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan dhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin do të vizitojnë rajonin dhe do të takohen si me izraelitë ashtu edhe me aktorë të tjerë. Presidenti Biden informoi se në agjendën e dy zyrtarëve amerikanë do të jenë rritja e ndihmave humanitare, parandalimi i humbjeve civile dhe iniciativa ndërkombëtare për ndalimin e sulmeve në Detin e Kuq.

Gjatë pjesëmarrjes së tij në një aktivitet më parë, Biden shprehu se Izraeli ka filluar të humbasë mbështetjen e botës për shkak të bombardimeve që vazhdon pa dallim në Gaza dhe se kryeministri Netanyahu duhet të ndryshojë qeverinë e tij për një zgjidhje afatgjatë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne