Bolivia ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Izraelin, kërkon ndalimin e sulmeve në Rripin e Gazës

Qeveria e Bolivisë ka njoftuar se po ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Izraelin.

“Ne njoftojmë vendimin tonë si shtet shumë-kombëtar i Bolivisë për ndërprerjen e marrëdhënieve me Izraelin”, tha në një konferencë për media Maria Nela Prada, ministre e Presidencës së Bolivisë.

Ajo tha se vendi i Amerikës Jugore akuzon Izraelin për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit dhe kërkoi fundin e sulmeve në Rripin e Gazës, “të cilat tashmë kanë shkaktuar mijëra vdekje të civilëve dhe zhvendosje të palestinezëve”.

Zv/ministri i Punëve të Jashtme, Freddy Mamani, nga ana e tij, tha se vendimi është marrë për të “kundërshtuar dhe dënuar ofensivën agresive dhe joproporcionale izraelite”. Sipas tij, kjo “kërcënon paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.

Bolivia ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Izraelin në shenjë proteste për sulmet ndaj Rripit të Gazës në vitin 2009, por ato u rivendosën në vitin 2020 gjatë qeverisjes së presidentes Jeanine Anez. Ushtria izraelite ka zgjeruar sulmet e saj ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, e cila ka qenë nën sulme të pamëshirshme ajrore që nga ofensiva e befasishme e Hamasit e kryer në fillim të këtij muaji.

Më shumë se 10 mijë njerëz janë vrarë në konflikt, duke përfshirë të paktën 8.525 palestinezë dhe mbi 1.538 izraelitë. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka hedhur poshtë thirrjet në rritje për një armëpushim, duke theksuar se kjo do të ishte një “dorëzim” ndaj Hamasit./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne