Bosnjë-Hercegovinë – Mediat i kushtojnë hapësirë të madhe vizitës së Presidentit Erdogan

Vizita e Presidentit Recep Tayyip Erdogan të dielën në Bosnjë-Hercegovinë është pasqyruar në të gjitha faqet kryesore të gazetave në këtë vend.

Numrat e sotëm të së përditshmeve boshnjake i kanë kushtuar hapësirë të madhe veçanërisht fjalimit të Erdoganit drejtuar turqve rezidentë në shtetet e Evropës, të cilët kishin mbushur plotpërplot Sallën Olimpike të Sporteve “Zetra” në Sarajevë me rastin e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme 6. të Unionit të Demokratëve Turq Evropianë (UETD).

“Oslobodjenje”, një prej gazetave më të vjetra të vendit, shkruan se në sallën e sporteve të veshur plotësisht me flamuj të Turqisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, ishin të pranishëm rreth 20.000 turq rezidentë në Evropë dhe boshnjakë nga qytete të ndryshme të vendit.

Kurse ditorja “Nezavisne Novine”, në kryeartikullin e saj mbi këtë vizitë të rëndësishme, bën të ditur se Presidenti Erdogan u takua me votuesit turq në Bosnjë-Hercegovinë pas bllokimit të kësisoj aktiviteteve në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe u dha mesazhe entuziaste turqve në Sarajevë.

“Dnevni Avaz”, një prej gazetave me tirazhin më të lartë të vendit, në shkrimin e saj me titull “Erdogani fajësoi Evropën”, citon kreun e shtetit turk të jetë shprehur me këto fjalë: “Në një periudhë kur ngelën në klasë shtetet e lavdishme evropiane, të cilat pretendojnë të jenë djepi i demokracisë, Bosnjë-Hercegovina na mundësoi neve që të tubohemi këtu duke vërtetuar se është demokrate me vepra dhe jo me fjalë.”

Vizita e liderit turk në kryeqytetin boshnjak ishte gjithashtu në qendër të vëmendjes së kolumnistëve të së përditshmes “Vecernji List”.

Në artikullin e titulluar “Erdogani dha mesazhin se është gati t’i kundërvihet Perëndimit”, theksohet se presidenti turk u takua në Sarajevë me turqit rezidentë në Evropë duke i demonstruar kështu BE-së se porta e kopshtit të përparmë të Unionit është përherë e hapur për të.

Krahas mediave boshnjake dhe turke, vizitën e Presidentit Erdogan në Sarajevë e ndoqën nga afër edhe shumë organe mediatike ndërkombëtare. Njëkohësisht, ajo u mbulua me lidhje të drejtpërdrejta nga të gjitha kanalet e mëdha televizive të Bosnjë-Hercegovinës./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne