Britani, kërkohet hetim për islamofobi në radhët e partisë në pushtet

Këshilli Musliman i Britanisë (MCB) ka bërë të ditur se ka rivendosur thirrjen e tij për mbikëqyrësin e të drejtave të njeriut në Mbretërinë e Bashkuar për të hetuar Partinë Konservatore në pushtet mbi akuzat e islamofobisë.

Grupi i avokimit musliman i dorëzoi Komisionit të Barazisë dhe të Drejtave të Njeriut (EHRC) një dosje që implikonte me islamofobinë 300 persona brenda partisë në pushtet apo të lidhur me të.

Kjo është hera e dytë që MCB raporton partinë pushtet në EHRC, pasi për herë të parë e raportoi në muajin maj të vitit 2019. MCB theksoi se mbikëqyrësi i të drejtave as nuk ka hetuar konservatorët dhe as nuk i është përgjigjur MCB-së.

“Pasi furnizuam EHRC-në me dëshmi të mbi 100 incidenteve të islamofobisë në Partinë Konservatore dhjetë muaj më parë, ne e shohim si të jashtëzakonshme atë që Komisioni nuk ka arritur të japë ndonjë përgjigje, e lëre më të na informojë neve dhe muslimanëve britanikë nëse do të ndërmerren veprime”, tha Harun Khan, sekretar i përgjithshëm i MCB-së.

Khan tha se dy vite më parë vlerësuan se kishte raste të islamofobisë që identifikoheshin në partinë konservatore çdo javë, ndërsa tani, sipas tij janë mbi 300 incidente të dokumentuara.

Në dosjen e përditësuar të tij që përpiloi akuzat për islamofobi, MCB veçoi këshilltarin e posaçëm të diskutueshëm të kryeministrit, Dominic Cummings, i cili kryesoi botimin e një fotografie të Profetit Muhammed me një bombë në çallmën e tij kur ai ishte përgjegjës për revistën e krahut të djathtë “Spectator”.

MCB po ashtu përmend marrjen në punë dhe pushimin e mëvonshëm të Andrew Sabisky, i cili më parë kishte bërë komente të diskutueshme mbi eugjentikët dhe gratë, si dhe shprehu pikëpamje të ashpra mbi atë që ai e shihte si kërcënim të popullatës në rritje të Britanisë.

Deklarata e MCB-së tha se Thor Halland, kryetari i një shoqate lokale konservatore, bëri thirrje që muslimanët të ndalohen dhe dy anëtarë të tjerë të partisë konservatore kërkuan që muslimanët të hidheshin nga urat dhe të sterilizoheshin.

Këto ishin vetëm disa nga 300 incidentet që hartoi MCB. Disa nga akuzat, të cilat datojnë që në kërkesën e parë të MCB-së, janë ndaj kandidatëve parlamentarë të cilët tashmë janë zgjedhur.

Deputeti Anthony Browne iu përgjigj një pyetjeje lidhur me kundërshtimin e udhëheqësve muslimanë ndaj Luftës në Irak duke vënë në pikëpyetje besnikërinë e muslimanëve britanikë ndaj Mbretërisë së Bashkuar.

Një tjetër deputet, Karl McCartney, ka ri-shpërndarë postimet e liderit të ekstremit të djathtë Tommy Robinson. McCartney ka kërkuar falje për këtë veprim.

Kryeministri britanik, Boris Johnon, më parë ka thënë se partia e tij ka një “qasje zero tolerancë” dhe premtoi se do të zhvillojë një hetim të brendshëm për akuzat e islamofobisë.

MCB në deklaratën e tij tha se konservatorët “nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim kuptimplotë për problemin e saj të islamofobisë”.

MCB po ashtu theksoi shqetësimet e disa muslimanëve të shquar konservatorë, “përfshirë baroneshën Sayeeda Warsi, ish-bashkëkryetarin e Partisë, Lord Sheikh, themeluesin e Forumit Konservator të Muslimanë, si dhe Sajjad Karim, ish-eurodeputetin konservator për West Midlands, i cili foli për një ministër që akoma është në shërbim, që kishte bërë komente islamofobe për të”.

“Nuk ka dyshim se Partia Konservatore ka një krizë islamofobie, është institucionale, sistematike dhe e përhapur. Përgjigja e partisë ka qenë një e mohimit dhe e shkarkimit. Kjo rezulton në diskriminim të qartë ndaj muslimanëve për shkak të fesë së tyre. Islamofobia kurrë nuk është e pranueshme, megjithatë kjo dosje citon qindra individë, përfshirë shumë në pozicione të konsiderueshme të pushtetit dhe ndikimit, të cilët kanë bërë komente tmerrësisht fyese për muslimanët që nuk do të tolerohen për asnjë pjesë tjetër në shoqërinë tonë”, tha Khan në deklaratë.

Sipas tij, EHRC ka për detyrë të mbështesë Aktin e Barazisë dhe kjo përgjegjësi përfshin hetimin aty ku ka pretendime për diskriminim.

“Mungesa e një veprimi kuptimplotë nga Partia Konservatore, pavarësisht pasurisë së provave, e bën akoma më të rëndësishme që EHRC të njohë ndikimin e këtij niveli të islamofobisë në partinë tonë qeverisëse dhe të ndërmarrë veprime të shpejta”, shtoi Khan./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne