Britania kërkon një rol global pas zgjedhjeve, ëndërr konfuze e Londrës

Parlamenti britanik pritet të votojë në dy javët e ardhshme marrëveshjen për daljen e vendit nga Bashkimi Evropian, por Brukseli i ka kërkuar ligjvënëse britanikë që të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.

Shefi i Komisionit Evropian, Zhan-Klod Junker, tha të dielën se ai personalisht pret që parlamenti të përmbushë dëshirën e shprehur nga populli britanik në vitin 2016, ndërsa druhet se mungesa e mirëkuptimit rreth Brexit do të rihapë një proces tejet të vështirë. Shefi i Komisionit Evropian, Zhan-Klod Junker, i ka mohuar akuzat e disa zërave kritikë në Mbretërinë e Bashkuar se Bashkimi Evropian po ndjek një agjendë të fshehtë për të mos mundësuar largimin e vendit nga blloku evropian. Në një intervistë për gazetën gjermane, “Velt am Zontag”, Junker u shpreh se publiku anglez duhet të kërkojë llogari nga politikanët e vet se përse nuk po votohet marrëveshja e propozuar nga Brukseli në fund të nëntorit. “Do të bëja një thirrje për politikanët anglezë: kthjelloni mendjen dhe na tregoni çfarë doni. Propozimet tona i keni pasur në tryezë prej muajsh. Kam përshtypjen se shumica e deputetëve anglezë kanë një mungesë të thellë besimi kundrejt BE-së dhe vetë kryeministres angleze, dhe hamendësojnë sikur ne duam ta mbajmë vendin me çdo kusht në BE. Duam vetëm të qartësojmë marrëdhënien tonë në të ardhmen, vetëm kaq”. Tha Junker. Në fillimin e dhjetorit, kabineti britanik shtyu votimin në parlament të marrëveshjes për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja pasi druhej se shumica e deputetëve do e kundërshtonin. Kryeministrja Tereza Mej kërkoi sqarime të mëtejshme nga Brukseli mbi planet rreth kufirit irlandez, por përgjigjja që mori ishte se shpjegime më të hollësishme do të jepeshin vetëm pas datës 29 mars 2019, kur vendi zyrtarisht pritet të dalë nga unioni. Qeveria angleze e ka bërë të njohur ditët e fundit se mosvotimi i marrëveshjes nga parlamenti mund të rrezikojë shanset e Brexit dhe ta përballë vendin me një tjetër referendum si ai i vitit 2016. Komisioni Europian ka njoftuar nisjen e implementimit të përgatitjeve të saj për një “Brexit” pa marrëveshje, gjithnjë nëse Britania e Madhe do të shkëputet nga BE-ja pa një marrëveshje të rakorduar më herët midis të dyja palëve, por që nuk po ratifikohet dot në “Ëestminster”. Komisioni ka njoftuar masat e përkohshme në përpjekje për të reduktuar impaktin që do të ketë kjo ngjarje historike, por është i vetëdijshëm gjithashtu se nuk do të mund të zgjidhen të gjitha problemet e pritshme. Ndërkohë që plani i propozuar nga kryeministrja May për shkëputjen ka ngecur në Parlamentin britanik, të dyja palët po përgatiten për situatën më të keqe të mundshme. Britania ka alokuar 2 miliardë paund fonde për departamentet qeveritare. Masat e Komisionit Europian, ndërkohë, kanë për synim të limitojnë kufizimet në disa fusha tejet të rëndësishme, siç janë financat dhe transporti, gjithnjë nëse “Brexit” vijon rrugëtimin drejt muajit mars pa një marrëveshje të rakorduar. “Këto masa nuk do të kufizojnë dhe nuk mundet të kufizojnë impaktin e përgjithshëm të një skenari të mundshëm ‘pa marrëveshje’”, thuhet në deklaratën e Komisionit. “Kjo është thjesht një përpjekje për të kufizuar dëmet”, shtoi komisioneri Valdis Dombrovskis në një konferencë shtypi, duke thënë më tej se një plan emergjence ishte i domosdoshëm “duke pasur parasysh pasigurinë e vazhdueshme në Britani”./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne