Bota

Britania ndan 87 milionë paund për muslimanët Rohingya

Britania e Madhe ka njoftuar se ka siguruar një fond të ri prej 87 milionë paund për të mbështetur Qeverinë e Bangladeshit dhe planin e përbashkët të OKB-së për ndihmë për njerëzit e zhvendosur Rohingya në Cox’s Bazar.

Fondi shtesë do të shpenzohet për të siguruar ndihmë në ushqim, ujë dhe strehim, edukim, trajnim dhe këshillim për të ndihmuar shtetasit e shpërngulur me forcë nga Mianmari të rindërtojnë jetën e tyre, bëri të ditur sot Komisioni i Lartë Britanik në Daka.

Mbi 20 milionë paund do të sigurohen për të zbutur ndikimin ekonomik dhe mjedisor në komunitetin pritës të shkaktuar nga fluksi i refugjatëve Rohingya.

Që prej gushtit 2017, Britania ka paralajmëruar ndarjen e një fondi prej 226 milionë paund, thuhet më tej.

Britania bashkëpunon ngushtë me qeverinë e vendit dhe gjithashtu me partnerët e saj në bashkësinë ndërkombëtare, donatorë të tjerë dypalësh, OKB-në.

“Qëllimi ynë është të gjejmë një zgjidhje për këtë krizë në mënyrë që muslimanët Rohingya të kthehen vullnetarisht në Mianmar me siguri dhe dinjitet. Dhe ne mbetemi të përkushtuar për të siguruar që kushtet të vendosen në shtetin Rakhine për të mundësuar realizimin e kthimit”, thuhet në njoftim.

“Ne gjithashtu jemi në dijeni nga afër për ndikimin në komunitetin lokal në Cox’s Bazar. Ne jemi gjithashtu të vetëdijshëm për ndikimin ekonomik, me pagat ditore që bien për shkak të konkurrencës dhe vlerësojmë punonjësit e shëndetësisë dhe arsimit që udhëtojnë për të punuar në kampe”, thuhet në deklaratë.

Populli i persekutuar

Muslimanët Rohingya, të përshkruar nga OKB-ja si njerëzit më të persekutuar në botë, janë përballur me frikën e shtuar të sulmeve pas vrasjes së dhjetëra Rohigyave në dhunën lokale në vitin 2012.

Sipas organizatës “Amnesty International”, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë ikur nga Mianmari dhe kanë kaluar në Bangladesh pasi forcat e Mianmarit filluan një sulm ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017, duke e shtyrë numrin e të persekutuarve në Bangladesh në mbi 1.2 milionë.

Që nga 25 gushti i vitit 2017 afro 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat e shtetit të Mianmarit, thuhet në një raport të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit Ontario (OIDA).

Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, thuhet në raportin e OIDA-s, me titull “Migrimi i detyruar i Rohingyave: Përvoja e Parrëfyer”.

Sipas këtij raporti, rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën ndërsa 113 mijë të tjera u vandalizuan./AA

OPINIONE