Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj deklaroi se Shqipëria po jep angazhim maksimal kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Teksa mori pjesë në mbledhjen e nivelit të lartë të organizuar nga Jordania, Franca dhe Zelanda e Re, Cakaj u shpreh se pavarësisht fitores ushtarake dhe territoriale mbi ISIL, një sfidë tjetër mbetet angazhimi i përbashkët për të zhbërë hapësirën e mundshme të narrativave që nxisin veprimet ekstremiste dhe të dhunshme.
“Shqipëria ka qenë historikisht një vend shembull i harmonisë ndër-fetare dhe ka prirë në shumë angazhime luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm nëpërmes mekanizmave të saj të sigurisë. Për më shumë, Shqipëria dallohet në rajon e më gjerë edhe për zhvillimin e kurikulave të veçanta shkollore që kanë për qëllim zhbërjen e interpretimeve të shtrembëruara të doktrinave të ndryshme fetare. Së këndejmi, angazhimi i Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm është në përputhje me sfidat bashkëkohore dhe në bashkërendim të plotë me partnerët ndërkombëtarë.”, shkruan Cakaj./balkanweb