Çavusoglu reagoi ndaj fjalëve të liderit grek

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu reagoi ashpër ndaj deklaratës së Presidentit grek Prokopis Pavlopulos të bërë gjatë vizitës së tij në Trakinë Perëndimore, ku ai në lidhje me identitetin e pakicës myslimane turke përdori shprehjen “Pakica Myslimane Greke“.

Në reagimin e tij të bërë nëpërmjet llogarisë së tij në median sociale Twitter, ministri Çavusoglu tha: “Presidenti i një vendi, për të cilin thuhet se është djepi i demokracisë, krahas të gjitha vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, pakicën myslimane turke e quajti edhe një herë ‘pakica myslimane greke’. Çfarëdo që thoni ju, pakica turke në Trakinë Perëndimore ka qenë turke prej shekujsh dhe do të mbetet turke”.

Presidenti Pavlopulos, mandati i të cilit do të përfundojë më 14 mars, iu drejtua pakicave në fjalimin e tij në Trakinë Perëndimore më 16 shkurt, dhe pretendoi se sipas Traktatit të Lozanës turqit në Trakinë Perëndimore janë vetëm një pakicë fetare, ndërsa grekët ortodoksë të Stambollit janë pakicë kombëtare.

Në fjalën e tij, Pavlopulos iu referua pakicës greke në Stamboll si një “pakicë greke”, ndërsa përdori shprehjen “minoriteti mysliman grek” për pakicën turke në Trakinë Perëndimore.

Ndërkaq zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Omer Çelik, në lidhje me fjalët e Presidentit grek Prokopis Pavlopulos gjatë vizitës së tij në Trakinë Perëndimore tha se “Është një qasje raciste ndaj pakicës myslimane turke të quajtur ‘Minoriteti Mysliman Grek’”.

Zëdhënësi Çelik reagoi nëpërmjet llogarisë së tij në median sociale Twitter në lidhje deklaratat e presidentit grek.

“Është jashtëzakonisht e gabuar që Presidenti grek Pavlopulos gjatë vizitës së tij në Trakinë Perëndimore e quajti pakicën myslimane turke ‘Pakica Myslimane Greke’. Refuzimi i identitetit të pakicës myslimane turke është një sjellje për dënim”, bëri të ditur Çelik, ndërsa shtoi se Presidenti i Greqisë duhet t’i drejtohet minoritetit mysliman turk duke i respektuar vlerat demokratike.

Në mes tjerash Çelik deklaroi se është e papranueshme që politikanët të kenë sulme sistematike kundër identitetit të turqve myslimanë në një vend të Bashkimit Evropian (BE)./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne