Certifikata Hallall për 14 kompani në Maqedoninë e Veriut

Agjencia për standardin Hallall pranë Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në Republikën e Maqedonisë së Veriut, bashkë me Ministrinë e Ekonomisë, kanë ndarë certifikatat Hallall për 14 kompani nga sektorë të ndryshëm ekonomik, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e ndarjes së certifikatave, i pranishëm ishte delegacioni nga Ministria e Ekonomisë, i kryesuar nga ministri Kreshnik Bekteshi, delegacioni nga BFI i kryesuar nga kreu i saj, Sulejman Rexhepi si dhe përfaqësuesit e kompanive që u pajisën me certifikatën Hallall.

Bekteshi në fjalën e tij tha se Ministria e Ekonomisë parasheh masa për bashkëfinancimin e shpenzimeve për zbatimin e standardit Hallall, duke u zotuar se në këtë aspekt do të vazhdojnë edhe më tej të mbështesin kompanitë nga sektorët e ndryshëm ekonomik.

“Të gjithë të dhënat tregojnë se pikërisht ky treg parashihet të jetë një treg aq i madh që tejkalon mbi 800 miliardë euro në nivel global dhe mbi 65 miliardë euro në nivel evropian. Ministria e Ekonomisë, ashtu edhe si vitet e kaluara do të vazhdojë që në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë për implementimin e standardit Hallall të ndihmojë të gjitha kompanitë”, tha Bekteshi.

Drejtori i Agjencisë për standardin Hallall, Muhamer Veseli, tha se standardi Hallall nënkupton siguri shtesë në industrinë ushqimore, sipas të cilit, parashikohet që prodhimet ushqimore të mos përmbajnë elemente kancerogjene apo përbërës të dëmshëm për shëndetin e njeriut, që siç theksoi ai, janë të ndaluara edhe sipas rregullave islame.

Kësaj radhe, certifikata Hallall për herë të parë në Maqedoninë e Veriut i është ndarë edhe një hoteli, andaj Veseli bëri apel për zbatimin e standardit Hallall edhe në sektorin e turizmit për të tërhequr vizitorë edhe nga vendet islame.

“Duke marrë parasysh kushtet natyrore dhe klimatike që i ka vendi ynë për turizëm veror dhe dimëror, shfrytëzojmë edhe një herë rastin që t’iu bëjmë apel të gjitha agjencive turistike në vend që t’i kushtojnë vëmendje kësaj fushe ku në nivel botëror i kushtohet vëmendje e posaçme”, tha Veseli.

Pas fjalimeve, certifikatat Hallall për 14 kompanitë i ndanë ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne