Çështja Dako: propaganda socialiste përballë të vërtetës kriminale

Nga Ilmi Rehova

Pas përgjimeve të botuara para tre muajsh, Vangjush Dako dhe makina e propagandës socialiste u mbrojt me pretendimin se bisedat nuk tregonin vjedhje votash dhe se kontakti mes Dakos dhe Avdylajve ishte e rastësishëm, shkëmbime të zakonshme të një politikani me votuesit e tij apo qytetarët.

Tani që janë bërë të qartë dy gjëra—se marrëdhënia e Dakos me Avdylajt ka qenë e ngushtë dhe Avdylajt kanë vjedhur vota për llogari të Dakos—makineria socialiste ka përqafuar një qasje të re: zvogëlimin e rëndësisë së krimit që ka kryer Dako dhe kanalizmin e vëmendjes te botimi i paligjshëm i përgjimeve dhe ekzagjerimi i rëndësisë së këtij veprimi, që mendohet se është bërë nga punonjës të prokurorisë.

Në funksion të kësaj strategjie, në mënyrë të koordinuar të gjithë surrogatët publikë dhe të gjitha mediat e kontrolluara nga qeveria po qarkullojnë variacione të ndryshme të tre tezave në ndihmë të Dakos:

Blerja e votës është kundravajtje penale, krejt e parëndësishme, që dënohet me gjobë dhe nuk duhet parë si gjëmë e madhe.
Kasetat e përgjimeve janë përdorur si shantazh nga prokurorët për të kaluar vetingun, të cilët, pasi nuk ia dolën të shantazhojnë drejtësinë e pathyeshme pas reformës në drejtësi, i kanë shitur ato tek politika.
Opozita i ka përdorur kasetat për të justifikuar braktisjen e parlamentit dhe të zgjedhjeve, dhe pastaj i ka çuar ato për botim në Gjermani për të dëmtuar reformën në drejtësi dhe penguar hapjen e negociatave.

Në fillim dua të merrem gjerësisht me tezën e parë të propagandës socialiste, seriozitetin e veprës kriminale të Dakos e kompani, dhe në fund dua të trajtoj shkurtimisht pretendimet e tjera.

Së pari, është gënjeshtër që Dako ka kryer thjesht kundravajtje penale. Mjaftojnë vetëm përgjimet e botuara për ta hetuar Dakon për disa akuza të rënda: për korrupsion pasiv i të zgjedhurit vendor, nën Nenin 260 të Kodit Penal—krim që dënohet nga 4 deri në 12 vjet vjet; korrupsion aktiv i të zgjedhurit vendor (Neni 248)—krim që dënohet me burgim deri në 7 vjet; dhe, natyrisht, dhënie e shpërblimeve dhe premtimeve për të votuar (Neni 328)—i cili përbën kundravajtje penale e dëgjohet me gjobë.

Mund të shtoja këtu edhe kërcënimin e votuesve dhe një sërë manipulimesh të tjera zgjedhore, por po pranoj supozimin se këto i kanë bërë Avdylajt me kokë të tyre, pa folur me Dakon.

Dënimi total për veprat e mësipërme, nëse vërtetohen, duhet të jetë shuma aritmetike e secilit dënim të veçantë—sikurse sanksionon Neni 55 i Kodit Penal për rastet kur njëri nga dënimet është korrupsion pasiv.

Pra, nëse vërtetohen këto akuza, Dako duhet të dënohet minimalisht 5 vjet dhe maksimalisht 17 vjet burgim.

Por nuk ka mbaron me kaq.

Fakti kryesor që “harron” propaganda socialiste është se këto krime janë kryer në kuadër apo në bashkëpunim me një grup të organizuar kriminal.

Çfarëdolloj krimi që ka bërë, Vagjush Dako e ka bërë në bashkëpunim me një organizatë të strukturuar kriminale. Për këtë arsye, cilitdo dënimi të tij për cilëndo vepër penale i shtohen edhe pesë vjet burg, sipas Nenit 334 të Kodit Penal.

Pra Dako rrezikon të dënohet nga të paktën 10 vite burg në të shumtën 22 vite burg.

Pëveç kryebashkiakut, dhe të paktën për korrupsion aktiv apo pasiv, në hetime duhet të jenë edhe shumë funksionarë të tjerë publikë lokalë të hipotekave, tatimeve, ujësjellësit etj. Kasetat tregojnë se Avdylajt kontrollonin dhe urdhëronin të gjithë këta funksionarë, të cilët i drejtoheshin kriminelit Avdylaj me respekt dhe përulje “shef Astriti”.

Hetimi i këtyre funksionarëve mund të nxjerrë krime të tjera të Vangjush Dakos, sepse është e arsyeshme të mendosh se për funksionarët lokalë shtetërorë krimineli Astrit ishte kthyer në “shef Astrit” për shkak të marrëdhënies së ngushtë të “shef Astritit” me “shef Dakon”.

Së dyti, zoti Dako duhet hetuar për pjesëmarrje aktive në grupin kriminal të Avdylajve në veprimtarinë e trafikimit të drogës. Zoti Dako ka qenë garantuesi i lirimit nga burgu i të dënuarit me burgim të përjetshëm Lulzim Berisha, i cili është raportuar nga mediat, me burim prokurorinë, se është në hetim për ndihmë ndaj grupit të Avdylajve për trafikimin kokaine.

Nën dritën e fakteve të bashkëpunimit Dako-Avdylaj, prokuroria duhet të hetojë rrethanat në të cilat Dako dha letër garancie për punësimin e Berishës në një projekt të Bashkisë Durrës. Prokuroria duhet të hetojë si e kontaktoi Lulzim Berisha Vangjush Dakon? Si e vlerësoi Vangjush Dako korrektësinë për dhënien e garancisë së punësimit për Berishën?

Mbi të gjitha prokuroria duhet të zbulojë: a është dhënë kjo garanci me kërkesë të Avdylajve me qëllim mbështetjen e Berishës për veprimtarinë e tyre të trafikimit të drogës?

Po në këtë kuadër, Vangjush Dako duhet të hetohet për favore, leje apo kontrata publike, që ai mund t’i ketë dhënë për anëtarët e grupit të Avdylajve dhe të Berishës, për të zbuluar nëse ai ka kryer krime të tjera në bashkëpunim me këto grupe kriminale.

Së treti, Dako është përgjegjës se ka bashkëpunuar me grupin kriminal të Avdylajve për të sjellë në parlament eksponentë të përzgjedhur dhe në shërbim të kësaj bande kriminale.

Një shikim i shpejtë nuk zbuloi ndonjë përcaktim të qartë të këtij krimi në Kodin Penal, por nga pikëpamja politike ky veprim përbën kapje të shtetit nga krimi i organizuar. Avdylajt janë sot një bandë që ka përfaqësuesin e saj në parlament.

Kjo kapje është bërë me pjesëmarrjen aktive të zotit Dako në funksion të krimit dhe për këtë ai është përgjegjës më shumë sesa thjesht politikisht.

Së katërti, konspiracioni i Dakos me grupet kriminale ka ndikuar direkt në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2017, të paktën në zonën e Durrësit.

Kjo do të thotë se të paktën deputetët socialistë të Durrësit nuk kanë legjitimitet politik dhe, me gjasa, janë zgjedhur në mënyrë të paligjshme, si rezultat i vjedhjes së votave në favor të tyre nga banda e Avdylajve.

Politikisht kjo do të thotë se Kuvendi i Shqipërisë është krijuar në mënyrë të paligjshme nën ndikimin dhe me anë të veprimeve të drejtpërdrejta të grupeve kriminale.

Kaq për Vangjush Dakon.

Në lidhje me tezën e dytë socialiste vlejnë të thuhen pak gjëra. Le ta fillojmë me reformën në drejtësi.

Drejtuesja e Krimeve të Rënda Donika Prela është produkt i reformës në drejtësi. Ajo është emëruar si pjesë e drejtësisë së reformuar dhe ka kaluar me sukses edhe nivelin e parë të vetingut.

Madje ajo e kaloi vetingun pavarësisht shumë problemeve pasurore dhe profesionale, përfshi mosdhënien e sqarimeve për akuzën publike se në fillim të vitit 2018 kishte urdhëruar lirimin e Astrit Avdylajt, të arrestuar për armëmbajtje pa leje, ndërkohë që ai ka qenë i dënuar më parë për vrasje.

Zonja Prela sot duhet t’u japë përgjigje disa pyetjeve në lidhje me hetimin ndaj Vangjush Dakos:

Pse e ndau çështjen Dako nga ajo e grupit të strukturuar Avdylaj, duke krijuar një hetim të veçantë në cdo aspekt dhe duke ruajtur vetëm numrin sa për falsitet, 339/1?
Pasi e ndau, për çfarëdo arsyetimi, nga grupi i organziuar kriminal, pse e mbajti hetimin te krimet e rënda, kur vepra penale për të cilën po hetohet nuk është kompetencë e krimeve të rënda, por e prokurorive të rretheve?
Pasi e mbajti çështjen, pse nuk ka marrë ende nën hetim Vanghush Dakon, por po zhvillon hetim të përgjithshëm pa e regjistruar në emër të Dakos?
Më tej, pse nuk ka urdhëruar arrestimin e Dakos dhe punonjësve të tjerë të Bashkisë kur qëndrimi i tyre në detyrë u jep atyre mundësi të shkatërrojnë prova të hetimit?

Arta Marku, që sot jep urdhra për hetim prokurorësh, ka një vit e gjysëm në krye të sistemit të prokurorisë. Pothuajse aq ka Donika Prela në krye të krimeve të rënda.

Gjatë kësaj kohe të gjatë, sikur ato të kishin treguar në praktikë sado pak përkushtimin dhe ndershmërinë që hiqen se kanë në teori, sot Dako do të ishte para drejtësisë.

Ndërsa, akuzat me veprimtari armiqësore për t’i futur shkopinj në rrotë revoluconit të drejtësisë dhe revolucionit europian të Partisë Socialiste janë akuza komuniste, të cilat dikur i sajonte dhe i përdorte për të çuar në burg kritikët Sigurimi i Shtetit dhe “drejtësia” komuniste, me qëllim mbrojtjen e sundimit kriminal të Enver Hoxhës.

Me këto akuza nuk duhet marrë farë—agjitatorët socialistë duhen lënë të diskreditojnë veten.

Atyre thjesht u duhet bërë i qartë, me qetësi, thelbi i veprimeve të tyre: gjoja duke mbrojtur “parimet” dhe “të vërtetën”, ata në të vërtetë po mbrojnë Avdylajt dhe grupin e tij kriminal.

Kurse akuza se opozita po përdor dosjen 339, pra krimet e Vangjush Dakos, për interesa politike është qesharake dhe parademorkatike: në demokraci, opozita këtë punë ka, të denoncojë korrupsionin, krimet dhe keqeverisjen e shumicës, dhe t’i përdorë ato për t’i zënë vendin, me mjete të ligjshme.

Kjo detyrë themelore e opozitës është garante e demokracisë, dhe veprimet politike “shfrytëzuese” janë të domosdoshme për të mbrojtur interesin publik: ato mbajnë nën kontroll qeverisjen, për ta stepur, për ta penguar, për ta bërë të mos bjerë në krim dhe korrupsion, që mund ta shfrytëzojë opozita për ta largur nga pushteti.

Sot çështja nuk është pse po e përdor opozita dosjen Dako—ky është veprim i ligjshëm, legjitim dhe detyrë themelore e çdo opozite.

Sot çështja është: pse Dako ka vjedhur vota në bashkëpunim me krimin dhe është ende kryebashkiak dhe i lirë—kjo është gjendje e paligjshme dhe jolegjitime dhe veprim i ndaluar për çdo qeveri.

Ndaj propaganda socialiste sot nuk duhet lejuar të shmangë faktin thelbësor dhe të vetmin që ka rëndësi: Vangjush Dako ka bashkëpunuar me trafikantë të rrezikshëm ndërkombëtarë për të vjedhur vota.

Derisa ai të jetë në burg për këtë krim, as opozita dhe as qytetarët nuk duhet ta lënë të qetë qeverinë dhe drejtësinë./exit.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne