Çfarë do t’i kërkojë Erdogani Putinit në Moskë?

Peizazhi politiko-ushtarak në verilindje të Sirisë tregon se marrëveshja e paqartë e arritur midis presidentit turk dhe nënpresidentit amerikan ka dhënë vetëm një armëpushim të brishtë, për të cilin asnjë palë nuk ka garantuar respektimin dhe aplikimin e duhur.

Përveç informacionit kontradiktor dhe spekulimeve, ka disa fakte të rëndësishme dhe këto janë qëndrimet e Moskës dhe Uashingtonit. Ndërsa presidenti amerikan, përmes deklaratave jokoherente në Twitter, ka zhgënjyer kurdët, sytë tani janë fiksuar në Moskë; megjithatë, në këtë lojë, Rusia duket se përfiton nga një situatë e veçantë dhe kjo për disa arsye:

  1. Moska është një mbështetëse e Bashar al-Asad dhe e qeverisë siriane. Falë inteligjencës së tij, Presidenti rus Vladimir Putin ka arritur ta çojë Uashingtonin në një rruge pa krye në dosjen siriane, çka, natyrisht, nuk do të ishte e mundur pa ndikimin politiko-ushtarak të Iranit.
  2. Iniciativat ruso-iraniane e sollën Turqinë në tryezën e bisedimeve. Megjithë tendencat e saj të forta për qasje unilaterale, Turqia e kuptoi se do të ishte e pamundur të anashkalojë Iranin dhe Rusinë.
  3. Marrëdhëniet e ndjeshme dhe jetësore midis Turqisë dhe Rusisë në energji, industri, turizëm dhe tregti janë një aset i rëndësishëm për Vladimir Putin në mënyrë që të frenojë Turqinë e Erdoganit.
  4. Rusia është në gjendje të ndikojë në interesat e Turqisë dhe rebelëve pro-turq aktiv në Siri, si pjesë e aktiviteteve të Komitetit Kushtetues të Sirisë.
  5. Integriteti territorial i Sirisë dhe sovraniteti politik i qeverisë siriane janë shumë të rëndësishme për Vladimir Putin, shumë më tepër se çdo joshje maksimaliste e homologut të tij turk.

 

Ende nuk janë zbuluar të gjitha temat dhe objektivat e takimit të ardhshëm Erdogan-Putin. Sidoqoftë, mediat pro-Ankarasë kanë sugjeruar ditët e fundit se kërkesa më e rëndësishme e Erdoganit për Putinin do të ishte ushtrimi i kontrollit turk në Manbixh dhe Kobani. Presidenti turk dhe delegacioni i tij do të marrin një pritje të ngrohtë në Moskë. Sidoqoftë, autoritetet ruse indirekt do i bëjnë ata të kuptojnë se vendimet dhe operacioni ushtarak i Erdoganit e kanë shqetësuar Moskën. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha për një kanal TV rus se “operacioni turk në verilindje të Sirisë do të dëmtonte procesin e rivendosjes së qetësisë dhe stabilitetit në Siri dhe do të shkaktojë probleme të reja”. Peskov nuk është i vetmi zyrtar rus që ka shprehur shqetësim për këtë. Ndihmësi i presidentit rus Yuri Ushakov ka paralajmëruar Turqinë kundër çdo veprimi ushtarak masiv dhe të pakufishëm në veri të Sirisë. Në kampet pro ose anti-Erdogan në Turqi, po ngrihen zëra për të kujtuar presidentin turk për nevojën për të normalizuar marrëdhëniet me Damaskun. Rexhep Tajip Erdogan mbetet ende anti-Asad. Dëshmia për këtë është se ai kohët e fundit ka mbledhur dhe armatosur 100,000 kryengritës sirianë nën flamurin e UÇS (e ashtuquajtura Ushtria e Lirë Siriane). Shumë media anti-Erdogan paralajmërojnë se këta kryengritës janë kryesisht selefistë, të cilët, nga këndvështrimi i ideologjisë politike dhe qasja ushtarake, nuk do të ishin të ndryshëm nga terroristët takfiristë të pranishëm në Idlib. Prandaj është krejt normale që Presidenti Rus të marrë parasysh të gjitha këto shqetësime politike dhe të sigurisë, si dhe këndvështrimin politik të Teheranit dhe kërkesat dhe përparësitë e Damaskut, në takimin e tij të ardhshëm me Erdogan./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne