Çfarë paralajmëron fjalimi i degraduar i Ramës në Asamblenë Socialiste?

Nga: Redi Varaku

Asambleja e djeshme socialiste ishte prova gjenerale për fushatën e ardhshme elektorale.

Në vend të një bilanci për qeverisjen dhe një strategjie kundër rrudhjes së PS, Edi Rama ka zgjedhur të njējtën taktikë të shëmtuar si ajo e fushatës së vitit 2017, për të arritur sërish të njëjtin qëllim.

Natyrisht, kjo është një zgjedhje e zgjuar, sepse kushdo që ka një grimë arsye nuk mund të dalë të mbrojë filozofinë e një qeverisje që bashkëpunon me krimin për të vjedhur zgjedhjet, për të vjedhur më pas pasuritë e qytetarëve dhe dhunuar hapur të drejtat e tyre.

Kushdo që ka një grimë arsye nuk mund të mbrojë dështimin e madh me reformën në drejtësi, e cila sot është tërësisht e kapur nga rilindja apo të mbrojë dështimin e madh të policisë me drogën me kanabisin, ku sot në çdo lagje shpërndahet dhe konsumohet drogë si në Kolumbi dhe ku policia në vend që ta pengojë, e udhëheq vetë mbjelljen dhe shpërndarjen e saj.

Kushdo që ka një grimë arsye nuk mund të mbrojë dështimin e madh me reformën në arsim, e cila solli dhe revoltën më të madhe studentore të pas 1990 apo të mbrojë dështimin e madh me PPP në shëndetësi, e cila u pa qartazi gjatë pandemisë.

Kushdo që ka një grimë arsye nuk mund të mbrojë dështimin e madh në ekonomi, e cila po shkon pikiatë dhe ka varfëruar 99% të shqiptarëve dhe nuk mund të mbrojë dështimin e madh në politikën e jashtme, ku sot jemi kthyer ne vasalë të Beogradit.

Kushdo që ka një grimë arsye nuk mund të mbrojë dështimin e madh në integrimin e vendit, ku nga pesë kushte ku e la qeverisja e mëparshme e PD , janë bërë pesëmbëdhjetë dhe gjithashtu nuk mund të mbrojë dështimin e madh në rimëkëmbjen e infrastrukturës, ku pothuajse nuk është bërë asgjë, përveç vjedhjes së hapur me PPP.

Kushdo që ka një grimë arsye e ka të qartë që reforma territoriale ishte një dështim , ndërsa zhvillimi i zgjedhjeve lokale pa opozitën ka shkatërruar demokracinë lokale.

Kushdo që ka një grimë arsye nuk mund të mbrojë aferën me truallin e Teatrit Kombëtar dhe shembjen e tij. Kushdo që ka një grimë arsye nuk mund të mbrojë vjedhjen e zgjedhjeve pas publikimit të përgjimeve të Zërit të Amerikës dhe gazetës gjermane BILD.

Pra, është e qartë që këto fakte të rënda askush nuk mund t’i mbrojë dot publikisht. Por, për të shmangur përballjen me to, taktikisht është zgjedhur një rrugë tjetër; sulmi dhe diversioni kundër opozitës.

Në fakt kjo strategji, edhe pse e pamoralshme, është një strategji efikase elektorale, sepse shmang debatin nga problemet dhe dështimet e mëdha që ka shkaktuar kjo qeveri.

Megjithëse duket si shpikje e re, ajo është një tezë e hedhur që para vitit 2013 nga Mero Baze dhe është injektuar nga propagandistët pranë qeverisë agresivisht mbi trutë e lodhur të shqiptarëve .

Ky qëndrim ka vënë qysh në krye të herës në dyshim legjitimitetin e Bashës në krye të PD dhe dinakërisht tenton diversion brenda opozitës, nëpërmjet sulmeve kundër Ilir Metës.

Kjo strategji synon pikërisht shmangien e debatit për dështimet e sipërpërmendura, por njëkohësisht edhe shmangien nga përballja me ofertën e Opozitës.

E gjithë kjo të çon në idenë që fushata ardhshme elektorale e PS nuk do ketë asgjë të re , përkundrazi do të jetë identik me atë të vitit 2017, ku oferta e vetme do jetë diversioni dhe sulmi kundër opozitës.

Kjo strategji nuk dëshmon vetëm hipokrizinë e këtij kryeministri në lidhje me nevojat e qytetarëve shqiptarë, por edhe shterpësinë e mendimit që dominon sot Partinë Socialiste.

Ajo paralajmëron një fushatë shterpë ,pa ide, ku duket që nuk do të mbizotërojë llogaridhënia apo beteja për programet dhe nevojat e qytetarëve, por do të jetë një fushatë sulmi dhe denigrimi për kundërshtarin, që do të përkthehet në një banalitet të lodhur dhe një përpjekje të pashpresë për një mandat edhe më të dështuar se dy të parët!/GazetaImpakt/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne