Bota

Corker: Trump nuk është i aftë për postin e presidentit

Kreu i Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Bob Corker i ka vënë në dyshim kompetencat e presidentit Donald Trump për të shërbyer në zyrën më të rëndësishme të shtetit.

Nëse presidenti Trump nuk bën “ndryshime radikale”, ai mund ta dërgojë kombin “në një rrezik të madh”, ka thënë senatori Corker. Ai i ka bërë këto komente pasi Trump reagoi me një varg postimesh në “Twitter” për deklaratat e tij të mëparshme rreth dënimit të dhunës dhe racizmit në protestat në Virxhinia, e duke propozuar se ekzekutimi brutal i islamikëve është mënyra më e mirë për t’i penguar këto sulme, pas njoftimit për sulmin terrorist në Barcelonë, në të cilin humbën jetën 13 persona. “Presidenti nuk ka mundur të demonstrojë stabilitet dhe as kompetencat që duhet të demonstrojë për të qenë i suksesshëm. Ne kemi nevojë që presidenti të jetë i suksesshëm, vendi ynë ka nevojë. Nuk ka rëndësi nëse je republikan apo demokrat, ne dhe bota kemi nevojë që presidenti ynë të jetë i suksesshëm”, tha Bob Corker, senator republikan. Vënia në pikëpyetje e kompetencave të presidentit nga ana e senatorit Corker është sinjali më i fundit se republikanët po i kthejnë shpinën në publik Trumpit dhe sinjalizon një betejë, që vet Trump e ka ndezur me anëtarë të partisë së tij./ PT

OPINIONE

INTERVISTA