Opinion Rajoni

Dardan Gashi me kryeministrin e tij, drejt një Evrope Islamike?!

Imer Topanica

Në një artikull në The Economist shkruante se po qe se Donald Trump do të donte të shëtiste në Belgjikë, me qëllim që të njihej me atmosferën kulturore të këtij vendi, pamja me të cilën do të ballafaqohej, do të mund ta hutonte. Qytetarë me origjinë marokene e turke, po e popullojnë gjithnjë e më tepër këtë vend evropian, theksonte magazina e njohur britanike. Artikulli me titull: ‘Belgium struggles to manage its burgeoning Islamic scene’ tërthorazi reflektonte rreth faktit që demografia e zemrës së Evropës është duke ndërruar me një shpejtësi të pabesueshme dhe se fryma e kulturës islamike po imponohet gjithnjë e më tepër në atë evropiane.

Për të kuptuar se sa shpejt po ndryshojnë gjërat, atëherë mund të merren si shembull figurat fetare të përzgjedhura në shkollat fillore në Bruksel, për t’i edukuar vogëlushët në frymën fetare që ata dëshirojnë, vijon më tej artikulli. Sipas të dhënave: <<Gjatë shtatë viteve të fundit, pjesa që zgjedh edukimin nga klerikët/mësues katolikë është zvogëluar nga 23% në 16%; ndërsa numri i nxënësve të interesuar për klerikët/mësues muslimanë është rritur nga 43% në 51%.>>

Qeveritë e vendeve evropiane, po bëjnë përpjekje maksimale për t’i rehabilituar të gjithë qytetarët pavarësisht identitetit fetar pas të cilit ata rreshtohen, veçmas komunitetet muslimane në rritje. Sipas disa të dhënave, 50% e të lindurve në Belgjikë, janë fëmijë të prindërve muslimanë. Në Francë, bazuar në trendin e natalitetit në familjet muslimane dhe jomuslimane, në vitin 2027 çdo 1 në 5 francezë do të jetë musliman, ndërsa për 39 vitet e ardhshme ajo mund të emërohet lirisht si Republika Islamike e Francës. Sot në Evropë, supozohet të jenë afro 52 milionë muslimanë, ndërsa në 20 vitet e ardhshme, ky numër pritet të dyfishohet (në 104 milionë). Matje të sakta, nuk ka por, të gjitha të dhënat sugjerojnë që rezultatet mund të jenë të përafërta. Për shembull, sipas Wikipedias në 2010-tën, numri i muslimanëve në Evropë ka qenë 44 milionë.

Por a do të duhej që këto të dhëna ta shqetësonin Kryeministrin Haradinaj dhe zëvendësin e tij Dardan Gashin, të cilët me deklaratat e tyre shpeshherë kanë nxitur debate rreth identitetit fetar shqiptar? Dikush mund të thotë duke u tallur se për Evropën, mund të jetë tepër vonë që këta “templarë të shenjtë” t’i marr në gjirin e saj. “Fat i madh” është që Britania është duke e bërë hapin e fundit në procesin e shkëputjes nga Bashkimi Evropian, duke qenë që edhe ajo vet ka pësuar një ndryshim drastik në aspektin demografik në tridhjetë vitet e fundit. Edhe në këtë vend një përqindje e lartë e popullsisë kanë përkatësi fetare islame.

Pjesë të imazhit të metropoleve të njohura, gjithnjë e më shumë po bëhen edhe xhamitë. Por për demokracinë perëndimore, kjo nuk është asgjë e pazakontë. Kontinenti i vjetër s’është veçse duke u përlindur kulturalisht. Al Andalusi, dikur qe një vatër e tolerancës ndërfetare dhe për më shumë, një qendër e dijes për afro tetë shekuj, ndonëse brenda Evropës. Pa shkollarët islamikë si Ibën Rushdi (Averroas), Al Arabiu, Al Batani dhe shumë të tjerë, rilindja në kontinentin e vjetër, nuk do të ishte e mundshme, do të thoshte Mustafa As-Sibai. Por këtë mund të mos e kenë ditur kryeministri dhe zëvendësi i tij, siç mund të mos e dinë se mjedisi kulturor evropian po ndryshon, duke u krijuar hapësirë në demokraci brezave të rinj muslimanë me nënshtetësi perëndimore. Ata iu gëzuan lajmit për rekomandim të liberalizimit të vizave, ndërsa nuk ka mbetur shumë që Kosova t’i bashkohet pjesës tjetër të kontinentit të vjetër, të paktën në aspektin e lëvizjes së lirë. Por klithjet e përsëritura të kryeministrit se nuk është musliman, tingëllojnë më shumë se sa absurde. Evropa ishte dhe është edhe e muslimanëve. Ndoshta është koha të tallemi me paragjykimet e tij… apo fundja e fundit, Marine Le Pen, do ta mbaj derën hapur për këta “perëndimorë të vërtetë”./Gazetaere.com/

OPINIONE