Demonstruesit sulmojnë stacionin e metrosë dhe qendrën tregtare në Hong-Kong

Pasi forcat e sigurisë mbyllën stacionin e metrosë në rajonin Sha Tin, në verilindje të Hong*Kongut, protestuesit thyen xhamat e stacionit dhe dëmtuan biletarinë.

Ndërsa demonstruesit në lagjen Tsuen Mun thyen xhamat e disa dyqaneve në një qendër tregtare dhe përmbysën tavolinat e karriget në një restorant.

Vlen të kujtojme se disa deputetë u arrestuan dhe disa të tjerë u thirrën në stacionin policor të shtunën me arsyetimin për mbështetje ndaj protestuesve.

Mijëra persona morën pjesë në aktivitetet përkujtimore për studentin 22-vjeçar, Chow Tsz-lok, i cili humbi jetën të premten pasi ishte plagosur duke rënë nga një parking automjetesh gjatë përleshjeve mes protestuesve dhe policisë.

Manifestuesit brohoritën me slogane kundër policisë dhe mbajtën në duar pankarta me mbishkrimin “Hong-Kongu është shtet policor”.

Hong-Kongu është bërë skenë protestash të paprecedente që nga fillimi i qershorit kundër masës së qeverisë lokale për të legalizuar ekstradimin në Kinë.

Projektligji që parashikonte ekstradimin në Kinë, në Rajonin Special të Makaos dhe në Tajvan të personave që janë të dënuar ose ndaj të cilëve ka akuza në Hong-Kong, u parashtrua në Parlament më 3 prill.

Pavarësisht se projektligji përjashton krimet politike, në Hong-Kongun me një popullsi prej 7,4 milionë banorësh shumica e popullatës shpreh shqetësimin se njerëzit do t’u nënshtrohen paraburgimit arbitrar, proceseve të padrejta gjyqësore, madje edhe torturave nën sistemin gjyqësor të Kinës.

Opozitarët kanë shprehur shqetësime se nëse ligji miratohej, ai do t’i mundësonte Kinës që të vendosë në shënjestër opozitarët politikë në Hong-Kong.

Protestat më vonë vazhduan pavarësisht se shefja ekzekutive e Hong-Kongut, Carrie Lam, njoftoi në korrik pezullimin e projektligjit dhe anulimin e tij më 4 shtator.

Edhe pse më 23 tetor projektligji u tërhoq zyrtarisht, demonstruesit vazhdojnë protestat e tyre me kërkesën për “reformë demokratike”. Protestat, në të cilat janë arrestuar mbi 3.000 persona, kanë bërë që Hong-Kongu të përballet me recesion ekonomik për herë të parë në 10 vitet e fundit.

Hong-Kongu është rajon autonom i Kinës nën formulën “një vend, dy sisteme” që nga 1 korriku i vitit 1997, kur Britania e Madhe ia dorëzoi ish-koloninë e saj Pekinit./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne